Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas publikimit të një regjistrimi audio nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në të cilin dëgjohet biznesmeni Ron Yeffet.
Berisha pretendon se kryeministri Edi Rama, përmes kompanisë shtetërore “KAYO” dhe në bashkëpunim me Yeffet-in, është përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. Sipas tij, aktiviteti zhvillohet në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
“Një vend anëtar i NATO-s merret me trafikun e armëve. Ai shfrytëzon luftën në Ukrainë për të mbuluar trafikun e tij kriminal të armëve”, deklaroi Berisha.
Duke iu referuar intervistës së Arben Ahmetajt me Çim Pëkën, kreu i PD-së tha se regjistrimi audio i Ron Yeffet-it tregon, sipas tij, se kompania “KAYO”, me ndihmën e Nufit, përdoret për të paraqitur Shqipërinë si një vend eksportues të armëve të blera ose të prodhuara në zona konflikti, përfshirë Sudanin.
Berisha e cilësoi Yeffet-in si trafikant të Edi Ramës dhe tha se nga bisedat telefonike të publikuara kuptohet se ai ishte i vetëdijshëm se po kryente “punë të pista”. Sipas tij, Yeffet u kishte pohuar bashkëbiseduesve se ishte ngarkuar me kryerjen e këtyre veprimeve, të cilat Berisha i përshkroi si kontrabandë armësh në interes të qeverisë dhe, drejtpërdrejt, të Edi Ramës.
Kreu i opozitës e cilësoi çështjen një “megaskandal ndërkombëtar” dhe një rast të paprecedentë në botë, duke akuzuar Ramën se, përveç trafikut të drogës, tashmë i është kthyer edhe trafikut të armëve.
“Kontrabanda e armëve e Edi Ramës është një rast i paprecedentë në botë: përveç drogës, ai tashmë u është kthyer edhe armëve”, u shpreh Berisha.
Ai njoftoi se opozita do të paraqesë urgjentisht në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me këtë çështje.
Reagimi i plotë:
“Të dashur miq, Ramaduro nuk ngopet vetëm me trafikun e drogës, por përmes ndërmarrjes shtetërore dhe Ronit të tij shkelin ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare. Një vend anëtar i NATO-s merret me trafikun e armëve. Ai shfrytëzon luftën në Ukrainë për të mbuluar trafikun e tij kriminal të armëve.
Arben Ahmetaj, në intervistën e tij me Çim Pëkën, publikoi regjistrimin me zë të Ron Yeffet-it, trafikantit të Edi Ramës. Në të faktohet qartë se Edi Rama dhe Roni i tij, përmes ndërmarrjes së tyre “Kayo” dhe me ndihmën e Nufit, në shkelje flagrante të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, bëjnë trafik ndërkombëtar armësh. Ata e përdorin Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s por dhe çiflik i Padrinos, për ta paraqitur si vend eksportues të armëve që blejnë apo prodhojnë në zona luftimesh, si Sudani etj.
Në regjistrimin e bisedave telefonike të Ron Yeffet-it të Ramës, del se ai e di që po bën punë të pista, por u pohon bashkëbiseduesve se është i ngarkuar për të bërë punët e pista në këtë rast, krimin e rëndë të kontrabandës së armëve të qeverisë, në fakt drejtpërdrejt të Edi Ramës.
E dënoj me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar. Kontrabanda e armëve e Edi Ramës është një rast i paprecedentë në botë: përveç drogës, ai tashmë u është kthyer edhe armëve.
Opozita do të depozitojë urgjentisht në Kuvend kërkesën e saj për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë megaskandal ndërkombëtar të Edi Ramës.”
