Me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar qytetarët, duke vënë në pah rëndësinë e barazisë, multietnicitetit dhe zhvillimit të drejtë të shtetit.
Të lidhura
None found
Ai ka theksuar se, si një vend multietnik, Maqedonia e Veriut duhet t’u sigurojë të gjitha komuniteteve pjesëmarrje të barabartë në zhvillimin dhe të ardhmen e saj.
Sipas Mexhitit, respekti ndaj çdo komuniteti, forcimi i karakterit multietnik dhe trajtimi i barabartë i qytetarëve përbëjnë orientimin politik dhe institucional për të cilin punohet çdo ditë.
Ai ka deklaruar se ky orientim po materializohet përmes vendimeve, politikave dhe investimeve konkrete, veçanërisht përmes mënyrës së ndarjes së buxhetit dhe qasjes së komunave në resurset shtetërore.
“Për herë të parë, nën qeverisjen tonë, është bërë një ndarje më e drejtë e hises së buxhetit, duke u mundësuar komunave dhe qytetarëve qasje më të barabartë në resurset e shtetit”, ka thënë Mexhiti.
Bashkëkryetari i VLEN-it ka renditur ndër prioritetet edhe investimet në infrastrukturë, rrugë, spitale, shkolla dhe infrastrukturë publike. Ai ka shtuar se vëmendje më e madhe po i kushtohet gjithashtu arsimit dhe kulturës.
Mexhiti ka nënvizuar se barazia nuk përcaktohet vetëm nga përfaqësimi politik apo mbajtja e pozitave, por edhe nga mënyra se si shpërndahen resurset dhe mundësitë për zhvillim.
“Barazia nuk matet veç me përfaqësim e pozita. Ajo matet edhe me atë se ku investon shteti, sa investon dhe sa drejt i shpërndan resurset dhe mundësitë për zhvillim”, ka deklaruar ai.
Në përmbyllje, Mexhiti ka thënë se institucionet kanë përgjegjësinë të ndërtojnë një shtet që respekton përbërjen e tij multietnike dhe që e mbështet zhvillimin mbi parimin e barazisë.
“Urime 8 Shtatori, Dita e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut!”, ka përfunduar Mexhiti.
