City merr fitore të lehtë në udhëtim te Fulham, marshon drejt titullit në Angli

Manchester City ka bërë një tjetër hap drejt titullit kampion, pasi ka triumfuar në udhëtim te Fulham me rezultat të thellë 0-4.

Vetëm pas 13 minutave lojë ndeshja u zhbllokua, kur Kevin De Bruyne asistoi bukur te Josko Gvardiol i cili realizoi për 0-1.

Përkundër disa rasteve të mira shënimi, gola më nuk pati në pjesën e parë dhe skuadrat shkuan në pushim me pjesëve me epërsinë minimale të Cityt.

City vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë, duke realizuar edhe dy gola të tjerë.

Kur kaluan një orë lojë, në skenë doli Phil Foden i cili dërgoi topin në rrjetë për ta dyfishuar epërsinë e skuadrës së Pep Guardiolës.

12 minuta më vonë sërish në skenë doli mbrojtësi Josko Gvardiol duke shënuar golin e dytë personal dhe të tretin për Cityn në këtë ndeshje për rezultatin 0-3.

Krejt në fund të ndeshjes, City fitoi një penallti të cilën në gol e shndërroi Julian Alvarez për rezultatin përfundimtar 0-4.

City tani është lider i vetëm në tabelë me 85 pikë, dy më shumë se Arsenali që ndodhet në vendin e dytë.

Dy sfidat e radhës të Cityt janë sërish me dy skuadra londineze ndaj Tottenham Hotspur në udhëtim dhe ndaj West Ham United në Etihad Stadium. /Telegrafi/


Shtuar 11.05.2024 15:38