Bosnja ka arritur që të nxjerrë një barazim në Francë. Edin Dzeko (36) kaloi boshnjakët në epërsi kurse barazoi Antoine Griezmann (40) për Francën. Franca luajti me një lojtar më pak nga minuta e 51-të, pasi me karton të kuq u përjashtua Jules Kounde.
Bosnja Hercegovina ka arritur që ta marrë një pikë sonte në Strasburg pasi ka barazuar me rezultatin 1-1.
Francezët rrezikuan në minutën e 20-të dhe kërkuan penallti pasi Anel Ahmedhodzic u tha se preku topin me dorë, por VAR vërtetoi që ai nuk e kishte bërë.
Dy minuta më vonë Kylian Mbappe u rrëzua prapë në zonë, por prapë ishte gjyqtari ai që tha se ndërhyrja nuk ishte për penallti.
Mbappe përsëri rrezikoi në minutën e 27-të të ndeshjes pasi mori një top në zonë, ai goditi, por topi përfundoi afër shtyllës së majtë të portës.
Bosnja do të rrezikonte për herë të parë në minutën e 35-të. Miralen Pjanic goditi nga gjuajtja e lirë por priti Hugo Lloris. Një minutë me vonë Edin Dzeko do të shënonte një gol të bukur, një goditje që Lloris nuk mundi dot ta presë.
Por festa e boshnjakëve nuk do të zgjaste fort. Katër minuta më vonë Grizman do të shkëputej për ta goditur me kokë topin, e arriti, mirëpo një top i kthyer bie në shpinën e tij dhe ai do të shënonte gol në minutën e 40-të.
Ky barazim lë në vendin e parë Francën me tetë pikë, katër pikë më shumë se Ukraina, derisa për Bosnjën kjo është pika e parë e fituar në këto eliminatore.