Spanjë – Angli, kjo është finalja e Euro 2024 e programuar për të dielën e 14 korrikut në orën 21:00 në stadiumin e Berlinit në Gjermani. Tanimë skuadrat kanë nisur përgatitjet për duelin e madh dhe kërkojnë trofeun. I katërti nëse do fitohet nga Spanja dhe i pari për Anglinë.
Siguria ishte çështja që shqetësoi më shumë në fillim të “Euro 2024”-ës. Megjithatë në një muaj aktivitet qetësia ka udhëhequr shumicën dërrmuese të ndeshjeve, me 12 milionë udhëtime të përfshira.
Sa i përket finales, mësohet se policia do të ketë një vëmendje të veçantë për tifozët anglezë dhe me kujtesën e UEFA-s të fokusuar në atë që ndodhi në prag të finales së vitit 2021 ku pjesa më e madhe hynë pa biletë.
Në finale, tre helikopterë do të fluturojnë mbi stadium dhe më shumë se 2000 policë do të jenë të vendosur në të gjithë qytetin.