Barcelona humbet yllin e ekipit për duelin ndaj Athletic Bilbaos, synohet rikthimi i tij ndaj Napolit

Barcelona do të udhëtojë në San Mames për tu përballur me Athletic Bilbaon të dielën, në atë që po cilësohet si një ndër ndeshjet më të vështira si mysafir të blaugranasve këtë sezon.

Sidoqoftë, ekipi i Xavit do të hyjë në këtë ndeshje në një formë të mirë, ndërsa vendasit do të jenë pa dy lojtarët kyç Nico Williams dhe Daniel Vivian për shkak të suspendimeve.

Megjithatë, edhe Barcelona në anën tjetër do të vuajë nga disa mungesa, ku njëri ndër ta është Ferran Torres.

24-vjeçari pësoi një lëndim muskulor ndaj Osasunës katër javë më parë dhe kishte pasur shpresa se ai do të rikthehej në kohë për udhëtimin në Bilbao, mirëpo sipas gazetës Marca këto shpresa kanë marrë fund.

Torres ende nuk është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të grupit, por që stafi i trajnerëve shpresojnë se ai do ta bëjë këtë javën e ardhshme, pasi tani synimi kryesor është që ai të jetë në dispozicion të Xavit për ndeshjen e dytë ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi spanjoll ka pasur një sezon të mirë, por fatmirësisht për Barcelonën mungesa e tij nuk është ndjerë dhe aq shumë.

Robert Lewandowski ka bërë një hap para në 2024, dhe do të shpresojnë se reprezentuesi polak do të shfaq aftësitë e tij edhe një herë tjetër të dielën. /Telegrafi/


Shtuar 1.03.2024 21:28