Barcelona u interesua për Lautaro Martinezin gjatë merkatos së verës, por Interi nuk pranoi të merrte në konsideratë largimin e sulmuesit argjentinas, të cilin e shihte si një lojtar të paprekshëm.
Të lidhura
None found
Presidenti i klubit zikaltër, Beppe Marotta, bëri të ditur se mes dy skuadrave pati kontakte dhe bisedime për të ardhmen e Lautaros. Megjithatë, këto diskutime nuk u shndërruan në negociata konkrete.
“Sjellja e tij ishte shembullore. Ai tregoi një ndjenjë të jashtëzakonshme përkatësie, duke shmangur çdo lloj negocimi me Barcelonën”, deklaroi Marotta.
Sipas drejtuesit të Interit, interesimi i Barcelonës ishte real, por rrethanat nuk krijuan mundësinë për nisjen e një procesi të vërtetë transferimi.
“Dy klubet patën diskutime, por kushtet për të hapur negociata nuk ekzistonin në asnjë mënyrë”, shtoi ai.
Lautaro ishte ndër objektivat kryesorë të Barcelonës gjatë verës, kur klubi katalanas po kërkonte një sulmues të nivelit të lartë për të fuqizuar repartin ofensiv.
Edhe vetë futbollisti e kishte pranuar më herët se interesimi i Barcelonës ishte i vërtetë. Megjithatë, argjentinasi zgjodhi të vazhdonte karrierën në Milano, duke vënë në pah lidhjen e fortë që kishte krijuar me Interin.
Marotta theksoi gjithashtu peshën që Lautaro mbart për të ardhmen e skuadrës italiane.
“Lautaro përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e klubit tonë. Nëse duam të fitojmë, kemi nevojë edhe për lojtarë si ai”, u shpreh presidenti i Interit.
