Armando Broja qëndroi te Chelsea në këtë merkato të verës. Më shumë sesa një vendim i trajnerit Tuchel, ky ishte basti i presidentit të ri të londinezëve. Për herë të parë do niste me kontratat “alla amerikane” te Chelsea, që rinovohen për 5 vite dhe lojtari i pari që e përfitoi një gjë të tillë ishte Armando Broja.
Pas tij do të vinte James që ka fituar vendin e titullarit te skuadra londineze. Ky ishte një sinjal i qartë sesa beson presidenti i Chelsea te sulmuesi shqiptar. Por nga ana tjetër, te Tuchel nuk kishte të njëjtin përshtypje. Pavarësisht minutave të aktivizuara, Broja meritonte vendin e titullarit me paraqitjet e tij dhe mënyrën sesi shkonte klubi, të paktën ndaj Dinamos së Zagrebit.
Tuchel zgjodhi që të aktivizonte nga minuta e parë Aubameyang dhe kjo ishte një çmenduri e vërtetë, pasi e ekspozoi aq keq edhe afrimin e ri në debutim. Aubameyang kishte vetëm një stërvitje të plotë me ekipin e ri para Zagrebit, kishte humbur stërvitjet e fundit me Barcelonën para ardhjes te Chelsea dhe syri dukej ende keq nga trauma që pësoi me plaçkitjen në shtëpinë e tij.
Pavarësisht të gjithë këtyre faktorëve, sërish Tuchel aktivizoi Aubameyang duke mbajtur në stol Brojën. Të njëjtën vijë logjike e përdorte edhe në kampionat duke aktivizuar Havertz apo Sterling si numër “9” false, ndërsa kishte në stol një sulmues që presidenti i ka dhënë kontratë afatgjatë.
Sigurisht, vendimi në fund i përket trajnerit, por kur ka faturë për të paguar, nuk ka rrugë tjetër përveç shkarkimit. Mediat britanike bëjnë të ditura se përveç rezultatit të dobët me Dinamon e Zagrebit, Tuchel ka pasur përplasje me presidentin e ri të klubit edhe për shkak të lojtarëve, kryesisht Armando Broja dhe Lukaku. Trajneri ka kërkuar që Lukaku të mbahet derisa të vinte një afrim i ri po kaq i madh në emër, ndërsa u veprua ndryshe me dërgimin e menjëhershëm te Interi. Sa i përket Brojës, dukshëm ka pasur një ndarje të mendimeve për këtë element. /Sport Ekspres/