Allegri “vendos duart në kokë”, Zakaria dëmtohet dhe mungon 3 javë

Transferimi i merkatos së janarit te Juventusi, Denis Zakaria ka bërë me “dhimbje koke” trajnerin Massimiliano Allegrin.

Dëmtimi i pësuar në ndeshjen kundër Empolit do ta mbajë lojtarin larg fushës së gjelbërt minimumi 20 ditë. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi i “Zonjës së Vjetër”, ku thuhet se ekzaminimet kanë treguar Zakaria ka një tërheqje të muskujve të këmbës së majtë dhe lojtari mund të fillojë të riaftësohet pas 15 marsit.

Lojtari zvicerian nuk do të jetë në dispozicion të Allegrit për sfidën e Kupës së Italisë ndaj Fiorentinës, e planifikuar për këtë të mërkurë, ndërsa humbet edhe dy ndeshje në Seria A, gjithashtu nuk do të jetë i gatshëm as për ndeshjen e kthimit në Champions League kundër Villarealit. /h.ll/albeu.com


Shtuar 28.02.2022 15:25