Ronald Koeman mori një pushim. Tani ai duhet të bëjë më të mirën për të mos e zgjatur pushimin e tij. Një vizitë nga Valencia të dielën fillon njërën prej tri ndeshjeve, në të cilat Koeman duhet të bëjë të pamundurën për ta kthyer Barcelonën te rezultatet pozitive. Në fakt, Koeman vetëm me fitore mund ta shpëtojë punën e tij në “Camp Nou”. Drejtuesit e klubit ia kanë dhënë një ultimatum trajnerit holandez prej tri ndeshjeve, të cilat patjetër duhet t’i fitojë pas rezultateve të dobëta që ka pasur. Të tri ndeshjet, Barça i luan në shtëpi.
Pas përballjes me Valencian, Barcelona do ta presë Dynamo Kievin dhe Real Madridin brenda një jave. Rrjedha e ndeshjeve në “Camp Nou” vjen pas një pushimi ndërkombëtar që i dha Koemanit një shans për t’u rigrupuar pas një periudhe të trazuar për një ekip që po përpiqet të fitojë pa Lionel Messin. Dy javë më parë, puna e Koemanit u konsiderua në rrezik serioz pasi Barcelona kishte humbur të dy ndeshjet e saj në Ligën e Kampionëve me rezultatin identik, 3:0. Pas këtyre humbjeve, Barcelona u nis për në kryeqytetin spanjoll për të luajtur me Atletico Madridin mes raportimeve të përhapura se kryesia e klubit po kërkonte një zëvendësim për trajnerin Koeman.
Sidoqoftë, në vend që ta pushonte nga puna, presidenti i klubit, Joan Laporta përfundoi ditët e heshtjes duke e rikonfirmuar Koemanin si trajner, dhe duke u kërkuar tifozëve të jenë të durueshëm, ndërsa klubi po përpiqet të riparojë financat e goditura rëndë që e kanë bërë të vështirë mbajtjen e yjeve kryesore. Mbështetja publike e Koemanit erdhi disa orë para një humbjeje tjetër të dhimbshme. U mposht 2:0 nga Atletico, që e la Barcelonën me vetëm tri fitore në shtatë ndeshje të ligës spanjolle këtë sezon.
Koeman është lutur për më shumë kohë në mënyrë që të kthejë lojtarët e dëmtuar për të ndihmuar një sulm që po përpiqet të prodhojë gola pa Messin dhe Antoine Griezmannin. Sulmuesit Ousmane Dembele, Martin Braithëaite dhe Sergio Aguero janë të gjithë jashtë fushe me lëndime. Ansu Fati dhe Philippe Coutinho janë kthyer së fundi nga lëndimet që i mbajtën për një kohë të gjatë jashtë fushe.
“Na pret një javë e rëndësishme dhe jam optimist pasi kam pasur kohë për të punuar me ekipin gjatë kësaj periudhe të pushimit. Janë ndeshje të vështira, por unë besoj në këtë ekip”, tha Koeman.
Aguero duket i gatshëm për të bërë debutimin e tij për Barcelonën qëkur u largua nga Manchester City si lojtar i lirë. Ai luajti në një miqësore të mërkurën dhe do të jetë i gatshëm për duelin me Valencian. Por Koeman gjithashtu pranoi se çdo trajner i Barcelonës duhet të prodhojë rezultate dhe pranoi se ekipi i tij duhet ta bëjë të pamundurën në tri ndeshjet e radhës.
“Rezultatet janë të rëndësishme për punën e një trajneri dhe unë shpresoj t’i kem ato”, shtoi ai.
Ndeshja e fundjavës së ardhshme kundër Madridit sigurisht që do të jetë kritike për Koemanin, skuadra e të cilit humbi të dy “El Clasicot” sezonin e kaluar. Por para kësaj, skuadra e tij përballet me Dynamo Kievin të mërkurën tjetër, ndeshje që medoemos duhet ta fitojë. Barcelona është e fundit në grupin e saj të Ligës së Kampionëve dhe rrezikon të eliminohet në fazën e grupeve për herë të parë në dy dekadat e fundit. Valencia gjithashtu do të jetë një test i vështirë. Skuadra që kishte luftuar për të gjetur identitetin e saj që nga largimi i trajnerit Marcelino Garcia në vitin 2019, ka humbur vetëm dy herë në tetë ndeshje nën drejtimin e Jose Bordalasit. Barcelona hyn në këtë takim prej pozitës së nëntë në tabelë, ndërsa Valencia renditet e teta.