Prokuroria e Vlorës, ka lexuar në gjykatë pretencën përfundimtare ndaj tre zyrtarëve të hipotekës Vlorë dhe tregtarit Helidon Gjikoka, të cilët sipas dosjes hetimore përmes “Falsifikimit të dokumentave dhe formularëve”, “Shpërdorimit të detyrës”, kanë sjellë përmes mashtrimit tjetërsimin e një sipërfaqe toke prej 1430 m2 toke që ndodhet në zonën “Perivollo” të Dhërmiut.
Ora News ka mësuar se Edmond Vorfi, prokurori i çështjes ka kërkuar fillimisht dënimin me 3.4 vite burgim të tregtarit Helidon Gjikoka, për akuzën e “Falsifikimit të vulave dhe formularëve”.
Sërisht për Gjikokën, prokurori kërkoi 3 vite burgim për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.
Por në bashkim të dy dënimeve dhe gjykimit të shkurtuar, prokurori Vorfi kërkoi dënimin përfundimisht me dy vite burgim të Gjikokës.
Të njënjtën masë dënimi Vorfi kërkoi dhe për juristin Ariton Kasaj, për të cilin u kërkua një dënim me 2 vite burgim.
1.4 vite burgim prokuroria kërkoi për Andi Haxhiaj dhe Ermal Mahilaj, të cilët akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.
Ndërkohë prokurori Vorfi gjatë leximit të pretencës është shprehur duke tërhequr akuzën e “Mashtrimit” për të pandehurit Helidon Gjikoka, Ariton Kasaj. Tërheqjen e akuzës si “Shpërdorim detyre” prokuroria e bëro dhe për të pandehurën Enida Bukuroshi dhe Jonida Hallvaxhiu.
Tërheqja e akuzës së “Mashtrimit” nga prokuroria është bërë në kundërshtim të hapur të një vendimi të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe Gjykatës së Lartë, që orienton prokurorinë të vijonte hetimet edhe ndaj kësaj vepre penale.
Gjithashtu në pretencën e tij, prokurori i kërkoi gjykatës së Vlorës që të detyrojë Agjensinë e Kadastrës Vlorë, të bëjë shënimin “i falsifikuar” mbi dokumentat e nxjera me akt-ekspertimi fallso.
Sipas dosjes hetimore bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 1430 m2 me vendodhje në vijën e parë të bregut të detit “Jon”, e cila rezulton e përfituar sipas ligjit 7501 nga shtetasi Ahilea Koka.
Më pas ky i fundit në gusht të vitit 2007, ja ka dhuruar me testament shtetasit, Ilir Koka.
Hetimi ka provuar se mbi pasurinë me nr. 36/9 që zotërohet nga Ilir Koka, ky i fundit ka ndërtuar disa kabina pushimi dhe që më pas janë marë me qëra prej kushëririt të tij, Helidon Gjikoka, nga qyteti i Vlorës i cili ka emërtuar kompleksin e 12 objekteve me emrin “Ambel Beach”.
Kontrata e qërasë e datës 27 shtator 2018, në dukje është firmosur para noteres Saimira Hoxha, mes Ilir Koka dhe Helidon Gjikoka.
Por prokuroria nga hetimi i kryer tregon se në emër të Ilir Kokës në këtë rast ka firmosur një person tjetër që është avokat.
Kjo kontratë sipas prokurorisë, humb fuqinë në 31 gusht 2021 dhe se Helidon Gjikoka, duhet të lerë objektin.
Por hetimi i kryer nga ana e prokurorisë së Vlorës, ka zbuluar se Helidon Gjikoka, ka paraqitur pranë “ALUIZNI-t” kërkesën nr. 2286 me qëllim legalizimin në emrin e tij të 12 objekteve të ndërtuar në sipërfaqen prej 1430 m2 tokë.
Hetimi ka provuar se që prej datës 28 janar 2019, këto pasuri rezultojnë në pronësi të Helidon Gjikokës, e provuar kjo, me anën e vërtetimit Hipotekor të lëshuar po në këtë datë nga hipoteka Vlorë, e cila ka rregjistruar në emër të Helidon Gjikoka pasurinë “Kompleks Shërbimi me 12 Objekte”, ndodhur në Gjilekë,Himarë.
Veprimet e paligjshme për tjetërsimin e kësaj prone janë kryer nga zyrtarët e hipotekës dhe ALUIZNI Vlorë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë në hipotekën qëndrore në Tiranë.
Pretenca e prokurorisë
Helidon Gjikoka 2 vite burgim.
Ariton Kasaj 2 vite burgim.
Andi Haxhiaj 1 vit e 4 muaj burgim.
Ermal Mahilaj 1 vit e 4 muaj burgim.
Tërheqja e akuzës
Tërheqja e akuzës “Mashtrim” për Helidon Gjikoka.
Tërheqja e akuzës “Mashtrim” për Ariton Kasaj.
Tërheqja e akuzës “Shpërdorim detyre” për Enida Bukuroshin.
Tërheqja e akuzës “Shpërdorim detyre” për Jonida Hallvaxhiun.