SPAK kërkoi 12 vite burg, vendoset sot “fati” i ish-ministrit Saimir Tahiri

Ditën e sotme, Apeli i Gjykatës së Posaçme do të vendosë për fatin e ish-ministrit, Saimir Tahiri.

Vendimi pritet të jepet ditën e sotme rreth orës 13:00.

Në rast se GJKKO pranon kërkesën e SPAK, Tahiri përfundon sot në qeli, në të kundërt do të mbetet në fuqi dënimi aktual për shpërdorim detyre, ose merr pafajësi.

Në seancën e fundit për Tahirin, më 31 janar, ish-ministri kërkoi pafajësinë dhe kohë për tu njohur më mirë me dokumentacionin që ishte paraqitur në seancë. Ai deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me grupin e Habilajve me të cilët akuzohet se ka bashkëpunuar për trafik të lëndëve narkotike.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Ish-ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar me trupë të re drejtuese.


Shtuar 4.02.2022 08:42