Kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla, u ka bërë thirrje sërish grupeve parlamentar të opozitës për të propozuar emrat për kandidat për President.
Nga qyteti i Fierit, Balla tha se orët në vijim në mbyllje të afatit duhet të përdoren me përgjegjësi dhe nuk duhet të digjet raundi i dytë, siç ndodhi me të pari.
Ai shtoi se nuk e di arsyen se përse grupi parlamentar i PD u tërhoq nga procesi dhe nëse në raundin e tretë PD nuk do të përfshihet, atëherë kreu i shtetit mbetet në dorë të PS,
“Konstatoj me keqardhje që nga opozita nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësi për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e di përse PD, grupi i aj parlamentar, u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura, orët në vijim në mbyllje të këtij afati duhet të përdoren me përgjegjësi. Do ishte joproduktive të digjnim raundin e dytë, megjithatë ne e respektojmë marrëveshjen me grupin parlamentar të PD dhe dy grupet e tjera, që dy raundet e para u takojnë propozimeve të opozitës, por nëse dhe në raundin e tretë nuk do të hyjë në proces, natyrshëm një gjë është e sigurt, në raundin e katërt do të zgjidhet me kandidatë të propozuar prej nesh Presidenti apo Presidentja e re e Republikës”, tha Balla.