Moti i keq me reshje të dendura shiu ka përfshirë edhe Tiranën. Si pasojë e reshjeve është rënduar trafiku në kryeqytet, ndërsa raportohen problematika në disa akse pasi uji ka vërshuar në rrugë duke vështirësuar kështu edhe qarkullimin e mjeteve. Reshjet janë shoqëruar edhe me erë të fortë dhe ulje të shikueshmërisë për të gjithë shoferët e mjeteve, ndërsa ka pasur herë pas here edhe shtrëngata.
Moti i keq ka përfshirë sot edhe qytetin e Elbasanit. Pak më herët u raportua se reshjet e dendura kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve kryesisht në aksin rrugor nga Bradasheshi që të çon në hyrje të qytetit, por edhe në drejtim të autostradës Elbasan-Tiranë. Sakaq po si pasojë e motit të keq janë krijuar radhë të gjata automjetesh në By-Passin e Rrugës së Arbrit, ku një mjet tip furgon u bllokua dhe për pasojë shkaktoi trafik të rënduar.