Rritet fluksi i udhëtarëve në pikën kufitare të Qafë-Thanës në Pogradec! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe turistët e huaj drejt plazheve të Jugut

Brenda 7 ditëve të fundit, 90 mijë persona kanë hyrë dhe kanë dalë nga pika e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, ose 20% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kryesisht janë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të cilët zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore. Ata shprehen se Vlora dhe Saranda janë destinacionet kryesore.

Veç shqiptareve të cilët përdorin këte pikë kalimi për të hyrë në Shqipëri janë dhe turistet e huaj te ardhur transit nga Turqia, Zvicra, Franca etj.

“Ne po shëtisim në të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Në fillim shkuan në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbi. Vijmë nga Turqia dhe do ta mbyllim këtë turne në bregdetin shqiptar”, tha një turist.

“Eshtë hera e parë që vij në Shqipëri. Jemi në një ekskursion shkolle, janë dhe 2 autobusë përpara dhe do shkojmë të shohim Sarandën. Do qëndrojmë atje 5-7 ditë”, tha një tjetër turist.

Edhe pse fluksi është rritur ndjeshëm, udhëtarët nuk presin në Qafë-Thanë pasi janë marrë masa nga autoritetet e dy vendeve.

Burime nga policia kufitare bëjnë të ditur se fluksi më i lartë i kalimtarëve ka qene gjatë orëve të paradites dhe mbrëmjes. Shpeshherë bëhet kalimi me procedure të përshpejtuar për të evituar radhët.


Shtuar 6.08.2024 17:14