Primaret në PD, Jul Deda: Ditë feste në PD, ditë zie për Erion Velianj

Një nga kandidatët e primarëve për Bashkinë e Tiranës, Julian Deda, dha një mesazh për mediat pasi votoi. Ai u shpreh se dita e sotme është festë për Partinë Demokratike mirëpo është ditë zie për Partinë Socialiste, veçanërisht për kryebashkiakun aktual, Erion Velinë.

“Sot është ditë feste për PD-në dhe ditë zie për Erion Veliajn. Sot demokratët do të zgjedhin më të mirin e më të mirëve. Kam një thirrje për ata që nuk kanë votuar, të shkojnë të votojnë dhe ta shprehin vullnetin e tyre me votë. Procesi është i shkëlqyer. Në fund të votojnë numrin shtatë,” tha Deda.

Partia Demokratike zhvillon sot Primaret. Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm dhe do të vijojë deri në orën 18:00. Anëtarësia dhe simpatizantët do të zgjedhin mes disa emrave, ndërsa kandidati me numrin më të madh të votave do të vendoset përballë kandidatëve të PS për 61 bashkitë. Kandidatët duhet të marrin gjysmën e votave të anëtarëve, pasi sipas rregullores së miratuar nga PD nëse kandidati nuk merr mbi 50% të votave, dy më të votuarit shkojnë në rivotim.


Shtuar 4.12.2022 12:14