PL: Vota e Diasporës, e rëndësishme për ndryshimet politike në vend

Sekretari për Diasporën në Partinë e Lirisë, Besnik Jakaj u bëri thirrje sot gjatë një deklarate për mediet, të gjithë bashkëatdhetarëve të Diasporës, që të bëhen pjesë e regjistrimit dhe e votimit në zgjedhjet e 11 Majit.

“Vota e Diasporës është e rëndësishme për ndryshimet politike në vend, për një mirëqeverisje dhe për t’i dhënë fund krimit dhe korrupsionit që ka kapluar qeverisjen shqiptare.

Partia e Lirisë është ndër forcat e para politike që ka kërkuar me insistim votën e Diasporës. Falë presionit të opozitês u realizua vota e Diasporës, por sigurisht me disa teknikalitete që e vështirësojne regjistrimin dhe votimin.

Me direktivën e Ramës dhe “Rilindjes”, do përpiqen ta vështirësojnë sa më shumë votën tuaj. Ne kemi anëtare të Komisionit që do t’ju vijnë në ndihmë për regjistrimin në votimet e ardhshme, pasi votën tuaj ne e konsiderojmë votën më të rëndësishme për zhvillimin e vendit në të ardhmen”, tha Jakaj.

Sipas sekretarit të PL-së, “Partia e Lirisë është partia e parë që ka përcaktuar dhe ka sanksionuar në statutin e saj dhe në programin e saj, përfaqësimin e Diasporës në të gjitha nivelet politike dhe në të gjitha nivelet konkurruese lokale dhe kombëtare”.

“Edhe njëherë dua t’i bëj thirrje të gjithë Diaspores shqiptare kudo që ndodhen të votojnë për Partinë e Lirisë, të votojnë për aleatin tonë Partinë Demokratike, të votojnë për partitë e vërteta opozitare, në mënyrë që pas zgjedhjeve të 11 Majit, Shqipëria të ketë një qeverisje që mertion, jo korruptive, vizionare, të ndershme dhe të jetë ajo që të japi llogari para qytetarëve shqiptare dhe para Diasporës shqipatare dhe të mos jetë xhelati i tyre”, theksoi Jakaj.


Shtuar 11.01.2025 21:09