Pas heqjes së roamingut në Ballkan, pritet reduktimi i tarifave me vendet e BE-së, Bregu: Në dhjetor takohemi në Tiranë, RCC po e çon para edhe këtë proces

Prej më shumë se një viti qytetarët e Ballkanit Perëndimor i përdorin lirshëm celularët e tyre ne të gjithë zonën pa patur nevojë për të blerë një paketë roaming.

Gjithçka nisi në verën e vitit të shkuar pasi shtetet e rajonit nënshkruan një marrëveshje të posaçme nën koordinimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për hequr tarifat roaming mes tyre.

Lajmi i mirë është se ky shembull pritet të aplikohet për shtetet e Ballkanit Perëndimor edhe me Bashkimin Europian ku është planifikuar një reduktim vit pas viti i tarifave roaming.

Kjo u konfirmua sot nga Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu në Berlin pas nënshkrimit të tre marrëveshjeve për lehtësimin e lëvizshmërisë mes shteteve të rajonit.

Bregu tha se është duke u punuar në këtë drejtim dhe pritet që rezultatet të shihen që në Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në dhjetor të këtij viti në Tiranë.

“Me këtë punë si shtysë dhe inkurajim për të ardhmen, është koha që të ndjekim shembullin e Shteteve Anëtare që janë bërë pjesë e nismës së korridoreve të gjelbra, në mënyrë që ta bëjmë realitet uljen e tarifave “roaming” ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Jam e sigurt që do të mund të tregojmë rezultate të tjera konkrete në Samitin BE-BP që do të mbahet në Tiranë në dhjetor të këtij viti.

Në këto kohë të vështira që po kalojmë, kemi nevojë jo vetëm për këto nisma, por edhe për masa të tjera për të qënë të integruar në fusha si energjia, rezistenca kibernetike, keqinformimi, etj. Si një mekanizëm gjithëpërfshirës rajonal, RCC-ja është e gatshme të kontribuojë për mbarëvajtjen e Procesit të Berlinit, si edhe të Samiteve të ndryshme të këtij Procesi, duke ofruar dhe siguruar një nga aftësitë që mësohet më gjerësisht në çdo vend: bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, tha Bregu.

RCC ishte ajo që shtyu para për disa vite me radhë procesin e heqjes së tarifave roaming mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pritet që reduktimet të nisin që nga vera e vitit të ardhshëm duke ua bërë më të lehtë komunikimin qytetarëve të rajonit.


Shtuar 3.11.2022 19:01