Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë 5 masa të tjera për inceneratorin e Elbasanit.
Njoftimi i SPAK:
Mbi hetimet e kryera për inceneratorin Elbasan.
Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka vijuar hetimet në lidhje me proçedimin penal nr.277 viti 2020, që bën fjalë për proçedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate konçensioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera lidhur me këtë proçedim penal, janë mbledhur prova dhe janë krijuar dyshime të arsyeshme, se anëtarët e komisionit për dhënien e konçensionit të mësipërm, kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.20, datë 27.03.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
Caktimin ndaj personave nën hetim Pëllumb Abeshi dhe Bardhul Çabiri të masës së sigurimit personale “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Caktimin ndaj personave nën hetim Serafin Papa, E. K. dhe J. Z. të masës së sigurimit personale “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Po kështu, me vendimin nr.130 akti, datë 28.03.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:
14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²;
3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²;
1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²;
8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.
Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara dyshohet se përbëjnë produkt të veprave penale për të cilat po ushtrohet ndjekja penale, ndërsa shoqëritë tregtare të sekuestruara dyshohet se kanë shërbyer dhe janë përdorur si mjete për të realizuar veprat penale. Vlera e pasurive të paluajtshme të sekuestruara është rreth 2,000,000 Euro.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në datën 29.03.2023 masat e sigurimit personale për shtetasit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri dhe Serafin Papa, si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme për ekzekutimin e masave të sigurimit për shtetasit e tjerë dhe për vënien në administrim të Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të pasurive për të cilët është vendosur masa e sigurimit pasurore “sekuestro preventive”.