SPAK lëshoi një ditë më parë 50 urdhërarreste për kapjen e disa personave, emrat e të cilëve janë të përfshirë në botën e krimit pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC. Operacioni i SPAK mësohet se kryesohet nga prokurorët Alfred Shehu dhe Altin Dumani. Me urdhër të SPAK, Forcat RENEA dhe FNSH zhvilluan një nga aksionet më të mëdha në disa qytete dhe zona, të cilat konsiderohen si baza e grupeve kriminale.
Kontrollet, në kuadër të dosjes Metamorfoza 3, u shtrinë në disa qytete dhe zona si, Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin etj.
Mësohet se urdhër arrest është lëshuar edhe për vëllezërit, Astrit dhe Altin Avdylaj dhe Durim e Valter Bami. Dy të fundit dyshohet se ndodhen në Dubai, ndërsa janë ushtruar kontrolle në banesat e tyre në Nikël.
Sa i takon qytetit të Tiranës, burime bëjnë me dije se janë lëshuar mbi 10 urdhër arreste nga GJKKO për krim të organizuar. Kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Freskut në banesat e vëllezërve Duka (Erlis dhe Leonard Duka), të njohur si armiqtë e Ervis Martinaj, ish-bosi i lojërave të fatit i cili konsiderohet i zhdukur që nga data 8 gusht e vitit 2022.
Në Larushk të Fushë-Krujës burime bëjnë me dije se është ushtruar kontroll në shtëpinë e Albert Zajës, i dënual me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Kontrolle janë zhvilluar edhe në Vlorë në banesën e Fatmir Hysenit (Doca), i cili ka eliminuar kohë më parë Santiago Malkën, ish-efektiv policie dhe i njohur si krahu i besuar i Ervis Martinajt.
Shpallet në kërkim ish-deputeti i PS-së, Arben Ndoka
Detaje të reja nga megaoperacioni i SPAK. Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka është shpallur në kërkim. Ky i fundit, sipas gazetares Klodiana Lala, është shpallur në kërkim pas megaoperacionit me urdhër të SPAK-ut, ku janë lëshuar 50 urdhër-arreste. Ish-deputeti socialist u arrestua në 21 tetor të vitit 2018 pasi emri i tij doli në përgjimet e një grupi kriminal. Emri i tij është i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Operacioni i SPAK, pjesë e ‘listës’ edhe Lulzim Berisha
Pjesë e listës së gjatë të urdhërarresteve të lëshuara dje nga GJKKO, janë dhe 3 persona të cilët janë në Spanjë. Mes tyre është Lulzim Berisha, i cili ra në pranga më 14 Dhjetor 2023, pas 3 vitesh arrati. Arrestimi i tij u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes palës shqiptare dhe agjencisë FAST të Spanjës. I konsideruar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare. Konkretisht në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.
4 vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngre akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005. Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg. Kërkesë kjo e cila pritet të realizohet vetëm pas përmbylljes së procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri.
Vrasjet e bujshme, roli i Sky ECC dhe si u eliminua rrethi i ngushtë i Vis Martinajt
Përveçse shumave të mëdha të parave dhe flori, gjetur gjatë kontrolleve në banesat e bosëve të krimit, disa nga ngjarjet mbi të cilat SPAK ka hedhur dritë, kanë të bëjë me vrasjen e njerëzve të Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej gushtit 2022. Dhe pikërisht ishin përplasjet për këtë biznes që sollën eliminimin e rrethit të ngushtë të miqve të Martinaj.
Mësohet se është zbardhur ekzekutimi i biznesmenit Bardhok Pllanaj, të dielën e Pashkëve, më 4 Prill 2021 në Shkodër. I njohur me nofkën “Kumbari”, ndërtues i pallateve, por i skeduar dhe për trafik droge ishte nisur drejt Malësisë së Madhe, kur një skuadër qitësish profesionistë iu vunë në ndjekje dhe e vranë 50 metra larg shtëpisë, në fshatin Dobraç i Ri.
Po ashtu, dritë është hedhur edhe mbi atentatin e dështuar ndaj 33-vjeçarit Taulant Pepaj më 21 shkurt 2021. Interesante duket se SPAK ka zbardhur edhe përplasjet mes Durim Bamit dhe grupit Avdylaj, që nga miq u kthyen në rivalë.
Është zbardhur vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit. Një tjetër rast, është atentati ndaj Can Karriqit, një prej njerëzve më të besuar të Martinajt, atentati ndaj Ylli Brahimit, apo ekzekutimi i Brilant Martinajt. Më tej, burimet thonë, se janë zbuluar disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit.
Mësohet se janë zbardhur:
– Një ekzekutim i një personazhi të rëndësishëm i botës së krimit në fillim të vitit 2021 në qytetin e Shkodrës. Vrasja e Barllok Pllanës dyshohet të jetë kryer nga grupi i Ervis Martinajt.
-Një vrasje në Shkodër dhe një tentativë vrasjeje ku u përfol emri i Elion Hatos, i njohur si një nga “ushtarët” e Ervis Martinajt. Është zbardhur po ashtu vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit.
-Atentati ndaj Can Karriqit, një prej njerëzve më të besuar të Martinajt.
-Zhdukja e disa eksponentëve të krimit
-Atentati ndaj Ylli Brahimit, po ashtu ekzekutimi i Brilant Martinajt.
-Disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit.
-Janë zbardhur dhe përplasjet mes grupeve kriminale të Niklës dhe Shijakut. Të përfshirë janë grupi i Avdylajve, ku veçohet emri i Astrit Avdylajt. Urdhërarrest ka dhe për vëllezërit Bami, të përfolur për ngjarje të rënda kriminale.
Emrat e disa prej të kërkuarve nga SPAK
Durim Bami
Valter Bami
Leonard Duka
Erlis Duka
Astrit Avdylaj
Altin Avdylaj
Arben Ndoka
Plarent Dervishaj
Endrit Dokle
Fatmir Hyseni
Albert Zaja
Ervis Doçi