Dhuna ndaj KFOR dhe medias në veri të Kosovës, Xhaçka dhe Peleshi thirrje për uljen e tensioneve

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhacka ka reaguar në lidhje me sulmet e dhunshme në veri të Kosovës ndaj KFOR dhe medias. Ajo ka kërkuar çtensionim të situatës.

“Sulmet e dhunshme të paprovokuara kundër forcave të KFOR-it dhe shtypit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.

Shprehim mbështetjen tonë të plotë për KFOR-in dhe urojmë shërim të shpejtë për ushtarët e lënduar.

Çtensionimi i situatës së krijuar është kyç në këtë moment.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjes reciproke që do të sigurojë stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë”, shkruan Xhacka.

Edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar duke dënuar sulmin ndaj KFOR dhe ka shtuar se zgjidhja e vetme që sjell siguri në rajon është ulja e tensioneve dhe dialogu.

“Të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Dënojmë me forcë dhunën e përdorur ndaj trupave të KFOR, që po përpiqen për garantimin e sigurisë së qytetarëve atje. Dialogu dhe ulja e tensioneve, zgjidhja e vetme për një bashkëjetesë të mirë dhe stabilitet në rajon! Urojmë shërim të shpejtë për trupat e lënduar!”, ka shkruar ai.


Shtuar 29.05.2023 21:44