Çfarë e shkaktoi zjarrin e frikshëm te “Deutsch Color?” Roja: Flakët nisën nga brenda

Fabrika e bojërave “Deutsch Color” u përfshi nga flakët mbrëmjen e djeshme. Roja i sigurisë, i cili konstatoi i pari flakët, deklaroi sot se zjarri nisi nga ambientet e brendshme.

“Zjarri që përfshiu fabrikën e bojës nisi nga ambientet e brendshme.”

Nisur nga kjo dëshmi por dhe veprimet e para hetimore ka dyshime se një shkëndijë elektrike u bë shkak i zjarrit masiv në fabrikën që duket krejtësisht e shkrumbuar.

U dëshën më shumë se 4 orë për të vënë në kontroll flakët që pushtuan objektin në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të Maminasit.

Lëndët kimike që ndodheshin brenda fabrikës si lëndë e parë për prodhimin e bojërave kanë ndihmuar që zjarri të përhapej.

Megjithatë ndonëse tashmë flakët janë shuar, tymi në vendin ku ra zjarri vijon ende.

Flakët që përfshinë fabrikën e bojrave nisën rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të shtunës. Në momentin që ra zjarri, brenda në punishte nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës.

Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste vatra e zjarrit, policia evakuoi banorët që jetonin pranë fabrikës dhe bllokoi për disa orë kalimin në autostradën Tiranë-Durrës.


Shtuar 24.09.2023 16:31