Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi si katastrofal projektbuxhetin për vitin 2023. Nga salla e parlamentit Berisha theksoi se gjatë qeverisjes 8-vjeçare të PD-së, rrogat e shqiptarëve u dyfishuan, ndërkohë që në 9-vite të qeverisë Rama qytetarët kaluan nga njerëzit me pagat më të larta në Ballkan në ato më të ulëtat.
Berisha atakoi qeverinë Rama si të korruptuar dhe që ka vjedhur me thasë në ndërtimin e rrugëve me 24 mln euro km.
Sipas tij rritja e taksave për buxhetin ka bërë që të përgjysmohet numri i bizneseve, të shkojë nga 210 mijë në 107 mijë.
“Gjatë qeverisjes 2005-2013 u dyfishuan rrogat, pensionet dhe ndihma ekonomike, por ku shkuan miliardat tuaja. Ku avulluan ato? Rrogat nuk u rritën as pensionet, shqiptarët kaluan nga njerëzit me rrogën më të lartë në Ballkan në njerëzit me rrogën më të ulët.
Asnjë punë nuk u thoni dot shqiptarëve që keni mbaruar në 9 vite. Të gjitha janë punë të nisura në qeverisjen e kaluar. Vodhët me thesë në ndërtimin e rrugëve. Ju s’keni një objekt të vetëm t’u paraqisni shqiptarëve në 9 vite. Ju e patë si përfundoi rruga Kardhi -Delvinë, pas 9-kilometrave të para u 4-fishua çmimi pasi vodhët me thasë. U ndërtua rruga Lushnjë-Fier me 1.2 milionë euro, u ndërtua, rruga Levan-Tepelenë me 1 milion euro, u ndërtua Levan-Vlorë me dy ura të mëdha me Vjosë me 2.2 milionë euro kilometri. Ju ndërtoni në fushë pa ura me 24 milionë euro kilometri. Ndaj ikën ai. Ikën nga parlamenti në Tropical pasi do të merret me zgjedhjen e ekipit kombëtar. Ai ka problem me këto vjedhje. Sa i dalin vjedhjet para ikin. Ky është buxhet katastrofe. Bizneseve u morët 400 milionë euro më shumë ndaj ato përfunduan nga 210 mijë në 107 mijë, i falimentuat njëra pas tjetrës. Një nomeklatur të cilën Shqipëria nuk e pasur kurrë të tillë”, tha Berisha.