“Mjeshtri i Madh” Lutfi Hoxha feston 89-vjetorin e lindjes.
Në 66 vjet jetë artistike si profesionist ai ka “bashkëjetuar” me 95 role në teatër dhe 22 të tjerë në kinematografi.
Lutfi Hoxha deri vonë ishte aktor aktiv në teatrin e Durrësit, të cilin Luti, siç e njohin të gjithë, e quan “shtëpia ime e dytë”.
4 vite me pare, 89-vjeçari Hoxha, interpretoi në filmin artistik “Derë e Hapur”, duke thyer edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, karrierë që nis me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956.
Rruga artistike, nga pantallonat e shkurtra te flokët e bardhë
Lutfi Hoxha ka ardhur në teatrin e Durrësit “me pantallona të shkurtra”. Ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit më të ri dramatik në vend.
Lutfiu kishte interpretuar disa role në grupet amatore të kantierit detar, ndërsa ishte shquar më shumë si kërcimtar me grupin e pallatit të kulturës.
Regjisori Gjergj Vlashi thotë se Lutfi Hoxha ka realizuar figura të spikatura në dramaturgjinë kombëtare dhe në atë të huaj. Sipas regjisorit veteran, “Luti ka një mënyrë të thjeshtë dhe një stil vetjak për të bërë teatër pa qenë kurrë teatral dhe duke mbetur përherë i freskët, pa e njohur fjalën “përsëritje””.
Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro Çomorës; “Martesa” e Gogolit; te “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit.
Në kinematografi ai ftohet para 63 vitesh. Pas filmit “Detyrë e posaçme” Lutfi Hoxha luan edhe në filmat “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, “Valsi”, për të mbërritur te filmat “Ne dhe Lenini” apo “Derë e hapur”.
Gjatë viteve të punës ai ka qenë pasqyrë e njeriut të mirë me zemër të madhe dhe një pedagog i mrekullueshëm në rrugën e mjeshtërisë së aktorit-thonë aktorët më të rinj të teatrit “Moisiu”.
Rolet e karaktereve gjetën te Luti një interpret shumë të aftë, ndërsa kolegët e tij aktorë dhe regjisorë ndjeheshin mirë përkrah djaloshit, që do të thinjej në skenë. Komedia “Martesa” e Gogolit mbetet në repertorin e teatrit gati dy dhjetëvjeçarë radhazi dhe shfaqja ngjitet në skenë 270 herë, falë interpretuesit kryesor Nikolin Xhoja, por edhe falë mjeshtërisë së Lutfi Hoxhës në rolin e shërbëtorit Stefan, dhe të aktorëve të tjerë pjesëmarrës Vangjel Heba, Vera e Spiro Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, etj.
“Lutfi Hoxha është aktori i shumë fytyrave dhe i shumë planeve, -shprehet për të regjisori Haxhi Rama. Në qoftë se do të kishte një çmim për njëmijë fytyrat e aktorit, këtë çmim me siguri do ta kishte fituar Lutfi Hoxha”, -shton ai.
“-Përveç emrit, Luti ka tre L të tjera-thotë aktorja e njohur Aishe Stari. Ai është Lezeti i Skenës, Lezeti i Familjes dhe Lezeti i Shoqnisë”.
Hysen Bash’hysa shprehet se: “Luti është aktori i roleve të vogla që zbulojnë karaktere të mëdha; miku i çmuar që të ngjall qetësi dhe këshilltari i afërt jo vetëm për profesionin e skenës”.
Lutfi Hoxha ka lindur më 1 qershor
Njëlloj si fëmijët ai ka mbetur një natyrë e gëzuar, që i pëlqen të qëndrojë me shokë, miq dhe bashkëqytetarë, njëlloj siç i pëlqen të jetë në skenë mes kolegësh artistë dhe përballë spektatorëve që vazhdojnë ti falin duartrokitje të merituara.
“I falem skenës, vendit ku u rrita dhe që nuk më le të plakem-thotë me emocion Lutfi Hoxha, Mjeshtri i Madh dhe Artisti i Merituar që sot feston 89-vjetorin.