Policia Rrugore me nisjen e sezonit turisik, po vepron me dorë të hekurt ndaj drejtuesve të mjeteve, që shkelin rregullat e qarkullimit.
Për pasoje, në 72 orë ka pezulluar 104 patenta dhe ka arrestuar 16 drejtues mjetesh. Gjithashtu ka vënë dhe 2345 gjoba.
Njoftimi i policisë;
104 leje drejtimi janë pezulluar gjatë 72 orëve të fundit, për shpejtësi tej normave të lejuara, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt.
16 shtetas janë arrestuar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, si dhe 2345 masa administrative janë caktuar për parakalime të gabuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit, mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj.
Nisur nga rastet e shumta të konstatuara nëpërmjet mjeteve inteligjente, dronëve, kamerave, radarëve automatikë dhe patrullave të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, të qarkullimit me shpejtësi deri në 184 km/h në Bypass-in e Fierit dhe deri 156 km/h në Rrugën e Kombit (qarkullonte me 184 km/h një shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina; qarkullonin me 156 km/h shtetas kosovarë), të parakalimeve të gabuara, të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të automjetit, të mosvendosjes së rripit të sigurimit, si dhe të shkeljeve të tjera që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve:
Zbatoni me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, mos kryeni parakalime të gabuara, mos qarkulloni me shpejtësi mbi normat e lejuara, mos përdorni celularin gjatë drejtimit të automjetit, mos kryeni manovra të rrezikshme në rrugë, mos drejtoni automjetet nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, vendosni rripin e sigurimit dhe vendosin kaskën mbrojtëse kur drejtoni një motomjet!
Mos shkelni rregullat e qarkullimit rrugor dhe mos rrezikoni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, duke bërë video me qëllim publikimin në rrjete sociale, pasi tashmë funksionon një njësi e posaçme për monitorimin e rrjeteve sociale ku publikohen paligjshmëri.
Apelojmë dhe për këmbësorët dhe për shtetasit që lëvizin me biçikletë apo me motor elektrik, që të zbatojnë rregullat e lëvizjes në rrugë, të ecin në trotuare, në anë të karrexhatës ose në korsitë e përcaktuara, si dhe të mos kryejnë manovra të befasishme dhe të rrezikshme.
Të gjitha rrugët monitorohen me makina inteligjente, radarë automatikë, dronë, kamera dhe me patrulla të lëvizshme me mjete të paloguara, të pajisura me logjistikën e nevojshme dhe me alkool-testues.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë.