“Thikat e mia”, hiti qenka një dedikim dhe Alban Ramosaj e paranoi vetë

Alban Ramosaj arriti të triumfonte këtë vit në “Kënga Magjike” me këngën e tij “Thikat e mia”, që bëri për vete publikun shqiptar në fare pak kohë. Kjo baladë e fuqishme arriti të rrëmbente shumicën e pikëve nga artistët, por edhe nga publiku e juria profesioniste e festivalit.

Pas fitores, Alban Ramosaj u shpreh mjaft i emocionuar dhe gati thuajse nuk e besonte që e kishte fituar çmimin e madh. Këtë fitore ai ja dedikoi nënës së tij, Antigone Ramosaj, për gjithë sakrificat që ajo ka bërë që Albani të arrinte këtu ku është sot.

U dashuruam me “thikat” e tij dhe e kënduam pafund këtë këngë. Por e dini historinë e dashurisë që fshihet pas këtij projekti dhe që e ka frymëzuar Albanin për këtë perlë?

Sipas tij, këngën me të cilën mori pjesë e ka shkruar gjatë kohës që ka qëndruar në Spanjë, por e përfundoi si produksion në studion e “ThreeDots”. Kënga është kompozim i tij, ndërsa produksioni është realizuar nga Bruno.

Sa i përket tekstit, e ka shkruar së bashku me Fifin. Ai ka treguar se kjo këngë është shumë personale, sepse i dedikohet një historie dashurie të përfunduar tashmë me një vajzë spanjolle.

“Kënga lindi nga një histori e imja në Spanjë, pra mund të them me plot gojën që është dedikim. Si çdo histori spanjolle, fundi është dramatik. Të gjithë kemi pasur lidhje të çuditshme, të gjithëve na ka mbyt xhelozia, por jo me shije latine. Thikat janë një metaforë për të treguar posesivitetin, dramat, xhelozinë, por edhe kënaqësinë e dashurisë, edhe pse toksike. Në këtë rast, posesivi jam unë, e kur do pa hile, pa dashur kthehesh në dominant”.


Shtuar 7.06.2021 13:41