Profesori universitar Bashkim Selmani deklaroi se provimi i jurisprudencës mund të organizohet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike, duke theksuar se kjo praktikë tashmë zbatohet në Universitetin e Tetovës.
Sipas tij, për të garantuar këtë të drejtë nuk ka pengesa procedurale, pasi mjafton të formohet një komision me pesë anëtarë shqiptarë. Ai kërkoi që ky parim të shtrihet edhe në provimet shtetërore në vend.
Të lidhura
None found
Për të sqaruar qëndrimin e tij, Selmani solli një shembull nga përvoja universitare. Ai tha se gjatë zhvillimit të provimeve me studentë nga bashkësi të ndryshme, një pjesë e tyre e ndjek procesin në gjuhën maqedonase, ndërsa të tjerët në gjuhën shqipe.
Selmani shpjegoi se studentët përgjigjen në gjuhën e tyre, ndërsa administrimi dhe e gjithë procedura e provimit realizohen pa asnjë vështirësi. Sipas tij, kjo tregon se përdorimi paralel i gjuhëve në procesin akademik jo vetëm që është i mundshëm, por edhe praktikë e zakonshme.
Ai u bëri thirrje kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë që i njëjti parim, i dëshmuar përmes praktikës në provimin e jurisprudencës, të zbatohet në të gjitha provimet shtetërore në vend.
“Për ta ilustruar këtë, po sjell një shembull të thjeshtë nga praktika universitare. Kur zhvillohet provimi me studentët nga bashkësitë e ndryshme, fillimisht pjesa e parë e studentëve e ndjek procesin në gjuhën maqedonase dhe disa në gjuhën shqipe. Studentët përgjigjen në gjuhën e tyre, ndërsa administrimi dhe procedurat e provimit organizohen pa asnjë problem. Kjo dëshmon se bashkëjetesa e gjuhëve në procesin akademik është jo vetëm e mundur, por praktike dhe shumë e zakonshme.
Prandaj, i bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë që i njëjti parim, të cilin e dëshmon praktika jonë në provimin e jurisprudencës, të zbatohet edhe në të gjitha provimet shtetërore brenda shtetit.
Në këtë rast, ministri, si dhe ekspertët e tjerë, janë të detyruar ta emërojnë komisionin plotësues, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë apo pesë profesorë në gjuhën shqipe, ku do të parashtrohen pyetje-përgjigje, ndërsa procedura zhvillohet në gjuhën zyrtare dhe në gjuhën maqedonase”, tha Bashkim Selmani.
