Kushdo që është në pritje të një fëmije e di shumë mirë që një ndër shqetësimet, por edhe pjesa më e bukur e asaj periudhe, është përzgjedhja e emrit. Shumë prindër mendojnë që ai nuk është aspak përcaktues për të ardhmen, kurse të tjerë i kushtojnë rëndësi këtij detaji dhe hartojnë lista të pafundme emrash.
Aktori i humorit Florjan Binaj dhe gruaja e tij, Sadina, janë gjendur plot tri herë para këtyre dilemave, ama një gjë e kishin të sigurt: fëmijët e tyre do të kishin vetëm emra shqiptarë. I ftuar pasditen e djeshme në “Rudina” për të ndarë me publikun projektet e tij të reja artistike, Flori tregoi edhe historinë e veçantë të Vjosës, vajzës së tij të dytë, që zanafillën e ka në kujtimet e fëmijërisë.
“E zgjodha jo vetëm për çështjen e dashurisë për këtë lumë, jo vetëm për faktin se unë kur kam qenë i vogël lahesha me gjyshërit dhe kushërinjtë në lumin Shushicë dhe në Vjosë, por edhe për faktin se unë dhe Sadina ishim duke bërë rafting në Vjosë. Ishte një nga ato ditët që Vjosa ishte tërbuar, me shumë dallgë, u kënaqëm shumë. Të nesërmen a pas disa ditësh, morëm vesh që Sadina ishte shtatzënë, kështu që s’kishte urë lidhëse më të bukur dhe të drejtpërdrejtë sa kjo”.