FOTO/ E veshur me të zeza dhe zemrën e “thyer”, Edlira Çepani rikthehet në punë

Ditët kalojnë dhe jeta vazhdon. Pa çka se dhimbja për humbjen e shokut të saj të jetës është akoma e freskët dhe mungesa e tij vërehet çdo ditë te Edlira dhe dy fëmijët e tyre, ajo ka vendosur që të rikthehet në punë.

Aktivistja ka udhëtuar së fundmi drejt Moldavisë, në Chisinau ku dhe pati fatin të njohë tre të rinj të cilët i dëshmuan se pavarësisht fatkeqësive vazhdojnë të gjejnë forcë për të ecur përpara dhe për të luftuar për një botë dhe jetë më të mirë.

“Në përpjekjen e mundimshme për të rifilluar angazhimet në përmbushjen e një misioni si amanet, rrugëtova drejt Chisinau. Aty pata fatin të njihja e të frymëzohesha nga të rinj nga 3 shtete të Europës Lindore, të cilët më treguan kaq bukur, se në mes të fatkeqësive e luftërave si ajo në Ukrainë (dhe sirenave të bombardimeve që u bien atyre dhe familjeve të tyre kohë e pa kohë), në mes të vështirësive që ata përjetojnë çdo ditë, sërish gjejnë forcën për të ecur përpara dhe për të luftuar për një botë më të mirë!

Faleminderit RSI Institute dhe KIC Sweeden për këtë mundësi që të isha trajnerja dhe mentorja e tyre, si dhe për mbështetjen që u jepni të rinjve”, shkruan Edlira Çepani.

Zemra e Gerti Bogdanit ndaloi së rrahuri papritur paraditen e 18 shtatorit teksa ndodhej në ambientet e Hotel “Rogner” në kryeqytet, nën shoqërinë e kolegëve dhe miqve të tij, gati për të marrë pjesë një takim zyrtar. Fatkeqësisht, 44-vjeçari pësoi një goditje të papritur në zemër. Edhe pse u dërgua menjëherë me autoambulancë në spital, mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

Gerti Bogdani la pas bashkëshorten e tij, Edlira Çepani, dhe dy fëmijë të mrekullueshëm, Ajrën dhe Reinartin. Ai për të gjithë që patën fatin ta njohin nga afër dhe larg, do të mbetet një figurë e respektuar, një baba dhe bashkëshort i dashur, i cili do të kujtohet gjithmonë me mirënjohje dhe dashuri.


Shtuar 13.11.2024 20:32