Raporti i Institutit të Shëndetit Publik ne Maqedonine e Veriut për muajin mars tregon një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve me sëmundje akute infektive krahasuar me muajin shkurt. Numri i përgjithshëm i të sëmurëve është 1431, duke shënuar një rritje prej 27% krahasuar me muajin e mëparshëm. Liha e deleve ka qenë sëmundja akute më e shpeshtë, me 825 raste të regjistruara, që përbëjnë 57.7% të numrit total të të sëmurëve për këtë muaj.
Kolla renditet e dyta për sa i përket numrit të sëmundjeve të raportuara. Në grupin e infeksioneve seksualisht dhe të transmetueshme me gjak – pa HIV/AIDS, janë regjistruar 19 të sëmurë. Këtu përfshihen raste të sifilizit, hepatitit B viral, hepatitit C viral dhe infeksionit me klamidia.
Në lidhje me HIV-in, janë raportuar 4 raste të konfirmuara gjatë muajit mars, ndërsa për SIDA-n janë raportuar 2 raste. Të gjithë pacientët i përkasin grupmoshës 20 deri në 44 vjeç.
Ka pasur edhe disa raste të tjera, si rastet e hepatitit B viral, të cilat nuk janë vaksinuar kundër kësaj sëmundjeje dhe infeksionit pneumokokal me diagnozë meningjiti pneumokokal, të cilët për shkak të moshës nuk janë nënshtrohur imunizimit sipas Kalendarit të Imunizimit të Detyrueshëm në RMV.
Gjithashtu, janë raportuar raste me shytat infektive tek një person mbi 60 vjeç, i pavaksinuar, dhe tek një fëmijë i grupmoshës 5 deri në 9 vjeç, i cili është vaksinuar.
Në fund, janë regjistruar edhe raste me zgjebe te një shtetas i huaj nga Turqia dhe mononukleozë infektive tek një shtetas i huaj nga Kosova.
Kjo analizë përmbledh pjesën kryesore të raportit të ISHP-së për muajin mars, duke identifikuar sëmundjet më të shpeshta dhe rastet më të rënda për t’u monitoruar dhe trajtuar në periudhën aktuale.