Më 22 maj do të votohet sërish në Maqedoninë e Veriut, KSHZ tregon në cilat vendvotime

Maqedoni e Veriut – Kryetari Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Dashtevski njoftoi se në 6 vendvotime në Njësinë e pestë Zgjedhore dhe në 1 vendvotim në Njësinë e gjashtë Zgjedhore do të rivotohet më 22 maj, të mërkurën e ardhshme. Nga KSHZ njoftuan se në cilat vendvotime do të votohet.

”Kalojmë në pikën 2. Propozim vendim për votim në Njësinë e 5 Zgjedhore në vendvotimet 1470/1, vendvotimi 1470 në komunën e Dollnenit. Vendvotimi 1184, vendvotimi 1202 në komunën e Krushevës, vendvotimi 1844 në komunën e Strugës dhe vendvotimi 1272 në komunën e Ohrit. Konstatoj se Komisioni njëzëri e miratoi propozimin që të rivotohet në këto vendvotime”, tha Dashtevski.

Propozoj që pikën 3 ta miratojmë, ju lutem që të votojmë, Kush është për? Konstatoj se edhe pika 3, propozim vendim për përsëritje të votimit në NJZ 6, në vendvotimin 2101 në komunën e Zhelinës u miratua njëzëri”, deklaroi Dashtevski.

Zgjedhjet do të ripërsëriten për shkak të  parregullsive të ndodhura në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vend më 8 maj.

Mendohet se këto zgjedhje të përsëritura mund të rezultojnë me ndryshim në dy mandate, në dëm të partisë më të madhe shqiptare, BDI-së.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, akuzoi sot VMRO-DPMNE-në dhe Partinë Socialdemokrate (SDSM) në pushtet në largim për nxitjen e këtyre zgjedhjeve të parakohshme për të parandaluar dominimin e BDI-së si fraksioni i dytë më i madh politik në Maqedoninë e Veriut dhe paralajmëroi se kjo mund të ketë ndikim në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Këtë po e bëjnë dy partitë më të mëdha të nacionalitetit maqedonas, politikat e të cilave, për fat të keq, kemi frikë se do të kenë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjë që ne nuk e dëshirojmë”, ka theksuar Ali Ahmeti.

Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO-DPMNE doli e para, duke zënë 58 nga 120 ulëse në Kuvend. E dyta me 19 ulëse doli BDI, ndërsa e treta, me 18 ulëse doli LSDM.


Shtuar 18.05.2024 19:04