“Ilir Meta në paraburgim pa asnjë dosje”/ Deklarata e zv.kryeministrit maqedonas, reagon Ambasada Shqiptare në Shkup

Deklaratat e zv. kryeministrit Aleksandar Nikolovski, ku ai përmendi Shqipërinë, kryeministrin Edi Rama dhe rastin e ish-presidentit, Ilir Meta, kanë nxitur reagim nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup.

Ambasada thekson se nuk përfshihet në debatet e brendshme politike të vendit pritës dhe apelon për përgjegjësi institucionale dhe komunikim të matur.

Të lidhura

None found

“Ambasada ndjek me vëmendje dhe analizon çdo zhvillim me interes në vendin ku është e akredituar, por ka një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm: nuk përfshihet në debatet e brendshme politike të vendit pritës. Ne besojmë se diskutimet e brendshme politike duhet të zhvillohen mbi bazën e përgjegjësisë institucionale, në një frymë konstruktive dhe pa referenca ndaj vendeve të treta apo drejtuesve të tyre.

Marrëdhëniet tona me Maqedoninë e Veriut, një vend mik dhe aleat i rëndësishëm, mbeten të forta dhe ndërtohen mbi respekt reciprok, mirëkuptim dhe një frymë të qëndrueshme bashkëpunimi. Çdokush mban përgjegjësi për deklaratat e tij; në mënyrë të veçantë, funksionarët publikë, për shkak të rolit dhe përgjegjësive që mbartin, duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që deklarimet e tyre mund të kenë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe në klimën e bashkëpunimit”, thotë Ambasada.