Prokuroria për Krim të Organizuar ka nisur hetime ndaj gjashtë personave nga Shkupi, të dyshuar për mashtrim dhe pastrim parash përmes dy kompanive: njëra që ushtronte aktivitetin e kontrollit teknik të automjeteve dhe tjetra që vepronte si broker për sigurimin e automjeteve.
Të lidhura
None found
Sipas hetimit, të dyshuarit përgatitën fletëpagesa fiktive gjatë procedurave të kontrollit teknik, të cilat më pas u miratuan dhe u ekzekutuan nga personat përgjegjës. Pagesat nuk përfunduan në llogarinë e arkës shtetërore, por në llogaritë e kompanive të tyre, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit.
Prokuroria e Krimit të Organizuar bëri të ditur se veprimet janë kryer nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026. Gjatë kësaj periudhe, i dyshuari i parë dyshohet se ka përvetësuar më shumë se 138 milionë denarë për përfitim personal, ndërsa personat e tjerë e kanë ndihmuar në realizimin e veprës penale.
Në mesin e personave nën hetim ndodhet edhe ndihmësdrejtoresha për financa e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.
Hetuesit pretendojnë se kontabilisti ka hedhur në dokumente të dhëna të pasakta për llogaritë, duke fshehur shumën e vërtetë të të ardhurave dhe përfitimeve. Ndërkohë, ndihmësdrejtoresha për financa në NP “Rrugët Shtetërore” nuk ka kryer verifikimin e faturave sipas detyrimeve të saj dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, ka informuar pronarin e kontrollit teknik për veprimet e saj dhe përfitimet financiare.
Përmes këtij mekanizmi, grupi i organizuar kriminal dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej mbi 2,2 milionë eurosh, të cilat i ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Mjetet financiare janë kaluar në xhirollogaritë e kompanive simotra dhe më pas janë përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre nga të dyshuarit.
