Sot filloi fushata e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që partitë politike tashmë dy javë po bëjnë fushatë për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit.
Koalicioni i partive shqiptare “Fronti Evropian” e nisi fushatën me anë të një seance simuluese ku zgjodhi “kryetarin e parlamentit dhe presidentin e vendit”. Koalicioni opozitar shqiptar premton rritje ekonomike dhe rroga minimale prej 800 eurosh. Social-demokratët thonë se “nuk do të ndalen” deri sa vendi të bëhet anëtar i BE-së. Edhe pse partitë kanë nënshkruar Kodin për zgjedhje të lira dhe të drejta, në fushatë duket se po shtohet gjuha e urretjes.
Fushata e zgjedhjeve parlamenatare zyrtarisht filloi të enjten, ndërkohë që partitë politike po zhvillojnë fushatën e zgjedhjeve presidenciale me një retorikë të ashpër ku nuk mungojnë as ofendimet e ndërsjella.
Koalicioni i partive shqiptare i njohur si “Fronti Evropian” i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim zgjodhi që fushatën parlamentare ta hapë përmes një seance simuluese të parlamementit, ku drejtuesi i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët do të zgjidhej kryetar i parlamentit:
“Konstatoj se me 120 vota për deputeti Ziadin Sela është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti pas një votimi të simuluar.
Ndërkohë që nuk dihet nëse Fronti Evropian do të ngulte këmbë që zoti Sela vërtet të kandidohej për kryetar parlamenti nëse ky koalicion arrin të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme, ajo që është e qartë është se partitë shqiptare duan që presidenti të zgjidhet në parlament dhe jo në zgjedhje të drejpërdrejta.
“Ne jemi Republikë parlamentare dhe duhet të ushtrohet demokracia parlamentare që kryetari i ardhshëm të zgjidhet me shumicë të kuvendarëve dhe me parimin e Badinterit”, shtoi zoti Ahmeti,
Kandidati presidencial Bujar Osmani kërkon një konsensus politik sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin e vendit drejt BE-së. Fronti Evropian synon dhe ndryshimin e kushtetutës:
“Krijues i konsensusit shtetëror në një shtet multietnik mund të jetë vetëm një president, i cili ka vullnetin e të gjitha komuniteteve të vendit në një proces gjithpërfshirës dhe i cili do të zgjidhet me 2/3 e votave të deputetëve dhe me shumicë të dyfishtë”, tha zoti Osmani.
Nga ana tjetër, koalicioni i partive opozitare shqiptare i njohur si “VLEN”, akuzon pushtetin dhe në veçanti BDI-në për ikjen e të rinjve nga vendi dhe për një sërë devijimesh të tjera në shoqëri. Arben Taravari i krahut tjetër të Aleancës për Shqiptarët premton rritjen e pagës minimale në 800 euro:
“Ekonomia kërkon përgjigje; emigrimi kërkon po ashtu përgjigje. Nuk mund të vazhdohet kështu me një qeveri të korruptuar dhe zhvatëse dhe ne na duhet patjetër ndryshim. Për këtë arsye ne si koalicion ‘Vlen’ në qeverisje duhet të garantojmë edhe rritjen e rrogës dhe rroga do të jetë minimum 800 euro”, tha zoti Taravari.
Izet Mexhiti i këtij koalicioni tha se një ndër masat ekonomike që do të nërmerren (nëse bëhen pjesë e qeverisë) do të jetë “vënia e ndërmarrjeve shtetërore në duar të qytetarëve”. “Ne do t’u shpërndajmë të gjithë qytetarëve 49 për qind të aksioneve të sipërmarrjeve shtetërore; aksione me vlerë 10 mijë euro për secilin individ”, shtoi ai.
Sipas sondazheve, partia nacionaliste VMRO-DPMNE ka mbështetje më të madhe të elektoratit dhe pritet të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Megjithatë, një pjesë e analistëve parashikojnë se formimi i qeverisë së re do të jetë një proces i vështirë, teksa nuk përjashtojnë mundësinë e bashkimit të të gjitha subjekteve politike shqiptare në një koalicion qeverisës me socialdemokratët; të dëshmuar për qëndrimet e qarta proevropiane./VOA