Mary Trump, mbesa e presidentit amerikan Donald Trump, ka rrëfyer një detaj të panjohur për raportin mes tij dhe babait të tij, Fred Trump Sr., duke pretenduar se ky i fundit ndihej në siklet sepse i biri ishte më i gjatë se ai.
Në një shkrim të publikuar në platformën e saj Substack, ajo pretendon se gjyshi i saj nuk pranonte që njëri prej djemve të ishte më i gjatë, më i suksesshëm apo më i famshëm se vetë ai, raporton Daily Mail.
Të lidhura
None found
Sipas Mary Trump, këtë histori ia kishte treguar tezja e saj, Maryanne Trump Barry, motra e madhe e presidentit amerikan. Ngjarja lidhet me një fotografi publicitare të realizuar gjatë viteve 1980, ku Donald Trump pozonte me të atin për të promovuar një sistem ngrohjeje me ujë të ngrohtë.
Ajo tregon se, përpara se të bëhej fotografia, Fred Trump Sr. ishte ngritur mbi majat e gishtave, me qëllim që të dukej të paktën në të njëjtën gjatësi me djalin e tij, ose edhe më i gjatë.
Mary Trump e interpreton këtë gjest si shenjë të përpjekjes së gjyshit për të ruajtur autoritetin dhe për të mos lejuar që fëmijët ta linin në hije.
Ajo shkruan se Fred Trump Sr. donte që Donald të shndërrohej në fytyrën publike të biznesit familjar dhe të merrte drejtimin e tij, por njëkohësisht nuk dëshironte që i biri ta kalonte në arritje apo në famë.
Sipas rrëfimit të saj, Fred Trump Sr. e vendosi Donaldin në qendër të vëmendjes së biznesit familjar dhe e caktoi president të kompanisë Trump Management kur ai ishte vetëm 24 vjeç.
Në të njëjtin shkrim, Mary Trump flet edhe për marrëdhënien e gjyshit me djalin e madh, Fred Trump Jr. Ajo pretendon se Fred Trump Sr. e përçmonte atë për shkak të zgjedhjeve profesionale dhe dështimeve të tij në biznes.
Fred Trump Jr. vdiq në vitin 1981, në moshën 42-vjeçare, ndërsa babai i Donald Trump u nda nga jeta në vitin 1999, kur ishte 93 vjeç.






