Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se ribalanci i buxhetit për vitin 2026 nuk buron nga vështirësi në financat publike. Sipas saj, ai është konceptuar si një dokument zhvillimor, përmes të cilit sigurohen fonde shtesë për investime kapitale, përkrahje për qytetarët dhe vazhdimin e rritjes ekonomike, në një periudhë të shoqëruar me pasiguri të lartë në tregjet botërore, rreziqe gjeopolitike dhe trysni mbi çmimet.
Të lidhura
None found
Me ndryshimet në buxhetin e vitit 2026, Qeveria synon të ruajë qëndrueshmërinë e financave publike dhe të garantojë shlyerjen e rregullt të të gjitha detyrimeve ligjore të shtetit. Paralelisht, parashikohet shtim i fondeve për investimet kapitale, bujqësinë, mbrojtjen sociale, arsimin, sportin dhe zhvillimin lokal.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se ribalanci mundëson pagesën pa ndërprerje të pagave, pensioneve, kompensimeve sociale dhe çdo detyrimi tjetër të shtetit ndaj qytetarëve. Ajo shtoi se, falë të ardhurave të qëndrueshme buxhetore dhe stabilitetit të financave publike, fokusi tashmë po zhvendoset te investimet kapitale.
Sipas ministres, projektet që po zbatohen aktualisht në rrugë, hekurudha, energjetikë, arsim, mbrojtje shëndetësore dhe infrastrukturë komunale pritet të gjenerojnë më shumë aktivitet ekonomik, të hapin vende të reja pune dhe të përmirësojnë standardin e jetesës.
Gjatë intervistës, ajo sqaroi se ribalanci përfaqëson përshtatje të buxhetit me rrethanat e reja ekonomike dhe me detyrimet e reja ligjore. Dimitrieska-Koçoska mohoi që ky hap të jetë ndërmarrë për shkak të mungesës së të ardhurave apo të cenimit të likuiditetit.
Ministrja shpjegoi se nevoja për rishikimin e buxhetit ka ardhur nga ndryshimet ekonomike të shënuara gjatë vitit. Zhvillimet gjeopolitike, shtrenjtimi i energjensave dhe lëvizjet në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar mbi disa prej projeksioneve buxhetore, ndaj, siç tha ajo, Qeveria ka përgjegjësinë t’i përshtatë në kohë këto parashikime me situatën reale.
Në të njëjtën periudhë janë krijuar edhe detyrime shtesë ligjore, kryesisht si rrjedhojë e marrëveshjeve kolektive të nënshkruara, ndërsa është paraqitur edhe nevoja për mbështetje më të madhe për bujqësinë, mbrojtjen sociale dhe komunat. Dimitrieska-Koçoska nënvizoi se tipari kryesor i këtij ribalanci mbetet orientimi drejt investimeve, me destinimin e mjeteve financiare në sektorët ku mund të prodhojnë vlerën më të lartë të shtuar për ekonominë. Për këtë arsye, ajo e cilësoi atë jo si një ribalanc krize, por si një ribalanc zhvillimor.
