Paraditen e sotme në zonën e Radhimës të Vlorës, një turiste nga Finlanda, rreth 30-vjeçe, ka humbur jetën pasi shfaqi komplikacione të rënda shëndetësore gjatë një zhytjeje të kryer
Nga informacionet paraprake, mësohet se ajo ndodhej me një grup zhytësish pranë vendit ku gjendet anija e fundosur “Spitaliers”.
Të lidhura
None found
Dyshohet se gjatë zhytjes turistja mund të ketë pasur mungesë oksigjeni, ose një problem tjetër shëndetësor.
Pasi nuk është ndier mirë, 30-vjeçarja është ndihmuar menjëherë nga zhytësit e tjerë. Ata e kanë nxjerrë në sipërfaqe dhe më pas e kanë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Sipas burimeve spitalore, ajo ka mbërritur në gjendje të rënduar, duke shfaqur vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të një komplikacioni serioz. Për shkak të komplikacioneve, turistja ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital.
Në Spitalin Rajonal të Vlorës, është dërguar edhe një person tjetër që e shoqëronte. Ai është i vetëdijshëm dhe po trajtohet nga stafi mjekësor.
Autoritetet kanë filluar procedurat për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet përmes ekspertizës mjeko-ligjore.
