Gjendja shëndetësore në Gostivar mbetet shqetësuese, teksa vazhdon të shtohet numri i qytetarëve që kërkojnë trajtim mjekësor për probleme gastrointestinale. Për shkak të përkeqësimit të situatës, epidemiologët shpallën dje epidemi në qytet, përcjell INA.
Të lidhura
None found
Sot pritet të bëhen publike rezultatet e analizave të mostrave të siguruara nga ujësjellësi i Gostivarit. Përmes tyre do të përcaktohet nëse kontaminimi është shkaktuar nga uji i pijshëm apo rastet lidhen me një burim tjetër infeksioni.
Uji i ujësjellësit të Gostivarit vijon të jetë i ndaluar për konsum, në bazë të vendimit që Agjencia për Ushqim dhe Veterinari mori të premten.
Rezultatet laboratorike po priten edhe nga Prokuroria, e cila më pas do të vendosë për vijimin e procedurës. Me urdhër të prokurorit publik, zona e Vrutokut, ku janë përqendruar hetimet, vazhdon të mbahet nën sigurim.
Për t’u garantuar banorëve furnizimin me ujë të pijshëm gjatë kësaj situate, janë ndërmarrë disa iniciativa. Qeveria ka vendosur shpërndarjen e përditshme të 50 mijë shisheve me ujë, me synimin që të mbulohen nevojat bazë të qytetarëve deri në përfundimin e analizave dhe normalizimin e gjendjes.
Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut është paralajmëruar për sot, në ora 12:30, një konferencë për media. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonovska dhe drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski pritet të paraqesin para opinionit zhvillimet e fundit, rezultatet e analizave dhe masat e ndërmarra për tejkalimin e situatës./INA/
