Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florim Besimi, ish-drejtori teknik dhe një mjek akuzohen për zjarrin katastrofik që vitin e kaluar më 8 shtator në qendrën modulare të Covid-it, la të vdekur 14 pacientë, raporton TV Telma.
Prokuroria e Tetovës ka ngritur kallëzim kundër tre personave për dy vepra të ndryshme, përkatësisht ndaj dy drejtorëve, që ngarkohen për krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, ndërsa ndaj mjekut për mosveprim sipas rregullave shëndetësore.
Në aktakuzë ngarkohet edhe spitali i Tetovës.
Mirëpo, prokuroria e Tetovës nuk e ka ndarë këtë informacion me publikun me rastin e paraqitjes së aktakuzës, edhe përkundër interesimit të madh të mediave. Kjo u bë e ditur sot pas pyetjes së një gazetari.
Ata sot janë përgjigjur vetëm me një informacion të shkurtër për rastin që tronditi thellë opinionin dhe kanë bërë të ditur më shumë detaje për nesër.
Sipas informacioneve të TV Telma, dy drejtorët akuzohen për mungesën e sistemit të mbrojtjes nga zjarri në spital, ndërsa mjeku për shkak se ka lejuar praninë e të afërmve të të sëmurëve me korona pavarësisht ndalimit të vizitorëve, përcjell INA.
Në hetimin e këtij rasti u përfshinë edhe hetuesit gjermanë, të cilët përgatitën një raport prej 7 faqesh për zjarrin, por detajet e tij nuk u publikuan kurrë.
Sipas ekspertizës së Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë, zjarri ka ndodhur si pasojë e djegies së një kablloje shtesë, në të cilin ishin lidhur aparati për reanimim, karikuesi i celularit dhe një pajisje tjetër.
COVID qendrat ishin ndërtuar me para të Bankës Botërore dhe sipas dokumenteve të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, drejtorët e spitaleve janë përgjegjës për mbrojtjen nga zjarri. Në këtë rast tragjik, 14 persona humbën jetën nga zjarri dhe po aq u shpëtuan. Aktakuza është shpallur në fillim të këtij viti, por ajo vjen edhe 10 muaj pas ngjarjes tragjike./INA