Arrestimi i Metës/ Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Pamjet jo të denja për një vend europian

Arrestimi i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, vijon të komentohet jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ka qenë zv. kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh dhe numri dy i VMRO DPMNE-së, Aleksandër Nikoloski ai i cili në një intervistë për Alsat M., ka komentuar arrestimin e Metës duke thënë se një shtet demokratik nuk vepron në atë mënyrë me një ish-president.

Nikoloski ka shtuar se pamjet janë jo të denja për një vend demokratik në Europë. Gjithashtu ai tha se nëse dikush është i dyshuar, mund të ftohet.

Pjesë nga intervista:

Gazetari: Zoti Nikoloski, më datë 18 gusht publikuat një fotografi së bashku me kryeministrin në Ohër me Ilir Metën, për të cilin thoni se është mik i madh i Maqedonisë së Veriut, mik personal dhe mik i VMRO DPMNE. Më intereson një mendim për arrestimin e tij. Ai dyshohet për pastrim parash dhe korrupsion.

Nikoloski: Po kishim një takim, bëhet fjalë për kryetar të një subjekti politik, që bashkëpunonte dhe bashkëpunon me VMRO DPMNE-në. Bëhet fjalë për një person që ka qenë kryeministër, president, ministër i Jashtëm dhe kryetar i parlamentit të Shqipërisë.

Unë nuk mund të hyj në punët e brendshme të Shqipërisë dhe të komentoj nëse ka ndodhur diçka apo jo, ajo është punë e institucioneve të Shqipërisë dhe nuk mendoj se është e drejtë nga ana ime që të jap koment posaçërisht për punë që nuk i di, por njerëzisht mund të them diçka.

Qëndroj pas kësaj që do të them, atë që pamë në opinion, në televizione, më falni por nuk i ngjan asgjëje. Një shtet demokratik nuk vepron ashtu. Nëse dikush është i dyshuar, ka mënyra që të ftohet, të bisedohet. Ata janë pamje që nuk shihen në shtetet demokratike të Europës.