Zbulohet “veza e artë” në fund të detit, shkencëtarët: Nuk e dinë kush gjallesë mund ta ketë bërë

Shkencëtarët janë suprizuar me zbulimin e një objekti të çuditshëm në fundin e detit në Alaskë. Mediat e huaja raportojnë se objekti me shkëlqim ka një vrimë në njërë anë, nga ku besohet të ketë dalë një krijesë. Objekti u gjet nga ekipi i eksploruesve të SHBA-së “Seascape Alaska” javën e kaluar.

Dyshimi paraprak që kanë shkencëtarët është se objekti i gjetur mund të jetë veza e një specie të panjohur.

“Është si fillimi i një filmi horror. Pavarësisht njohurive tona, asnjëri prej nesh nuk e identifikon dot, çfarë lloj gjallese mund të bënte një vezë të tillë?!”, shprehen ekspertët.

Ekipi vendosi një krah robotik për të lëvizur “vezën” nga shkëmbi i saj përpara se ta thithte atë në mënyrë që ta ekzaminonte. Pasi e studiuan në laborator, ata thonë se veza ka strukturë xhelatinoze, shumë e ngjashme me atë të peshkaqenit. Ajo do t’i nënshtrohet testeve të ADN-së.

Disa peshq të detit të thellë, dihet se depozitojnë vezë në habitate të ngjashme, por ekspertët sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një lloj të ri specieje detare.

Rreth një e treta e jetës në oqean mendohet të jetë e pazbuluar dhe ekipi ka marrë mostra të krijesave që jetojnë në koralet e thellë të detit për t’i analizuar./tvklan.al


Shtuar 6.09.2023 23:14