Pse sëmundjet tumorale po prekin moshat e reja? Mjekja e njohur zbulon shkaktarin

Mjekja Albana Daka thekson rëndësinë e një regjimi ushqimor të shëndetshëm për personat që janë prekur nga sëmundjet tumorale.

Nutricionistja thotë se sëmundjet malinje po prekin gjithmonë e më shumë moshat e reja për shkak të stilit të keq të jetesës. Ajo theksoi se të dhënat shkencore tregojnë se personat mbipeshë apo obezë kanë një probabilitet më të madh për të pasur sëmundje malinje sesa ata me një peshë normale.

“Mosha është ulur, arrijë të diagnostikojmë forma të sëmundjeve malinje në mosha më të reja. Kjo i atribuohet dhe rritjes së ekzaminimeve që kapen më herët por dhe prishjes totalisht të stilit të jetës. Sa më i ri është personi që kapet nga sëmundja malinje, aq më agresive është ajo për shkak të luftës që bën organizmi. Një kancer gjiri në moshë të re është më agresiv se një grua që ka kaluar në menopauzë. Ka bërë që sot të kemi sëmundje malinje më shumë dhe në mosha më të reja.”, tha Daka.

Dr. Albana u ndal tek ushqimet specifike që duhet të hanë ose jo personat që kanë vuajtur nga sëmundje të tilla. Ajo vuri theksin tek minimizimi i mishit të kuq dhe sidomos sheqernave, që i cilësoi si “armikun” kryesor të sëmundjeve tumorale. “Njerëzit që e kanë kaluar dhe kanë në rikuperim duhet të eliminojnë sheqernat e procesuara por dhe ata që marrin në mënyrë natyrale. Duhet të jenë në formën e frutave dhe në sasi të limituara të mjaltit.

Të heqin dorë nga ëmbëlsirat, sidomos ata të blera. Pijet alkoolike, të paketuara me gaz apo jo, pijet energjike nuk duhet të jenë pjesë e regjimit të tyre. Të kenë sasi të limituara të mishit të kuq, të kenë sasi të peshkut dhe të mishit të bardhë, dhe të jenë të fokusuar te perimet dhe frutat e stinës. Ky është regjimi ushqimor ideal për një person që ka kaluar një sëmundje onkologjike.“, shpjegoi Daka.


Shtuar 14.02.2022 15:40