Notarja olimpike australiane Cate Campbell, nuk e kishte imagjinuar kurrë që takimi me një mike të vjetër të fëmijërisë do të bëhej shkak i zbulimit të kancerit të saj. 26-vjeçarja nuk i kishte kushtuar kurrë rëndësi lëkurë së saj, madje në një intervistë për ‘’Daily Mail”, ajo thotë se rutina e saj e përkujdesjes së lëkurës nënkuptonte vetëm përdorimin e kremit hidratues dhe fondotintës, e asgjë më shumë. Megjithatë një vizitë sporadike tek dermatologu, do të bënte të mundur diagnostikimin e kancerit të lëkurës.
“U takova me një shoqe të vjetër që kishte një shenjë të madhe në parakrah dhe kishte një shenjë të melanomës, gjë që më nxiti të shkoj të bëja një kontroll të lëkurës dhe kjo më shpëtoi jetën. Ishte një tronditje e madhe për mua. Ishte thjesht një pikë, që kishte qenë gjithmonë aty, por ishte zmadhuar aq sa të shndërrohej në melanomë”, tha fituesja e medales së artë për “Femail”. Sapo arritën rezultatet, iu kërkua që ti nënshtrohej operacionit për të hequr qelizat kancerogjene. Vetëm 21 ditë pas ndërhyrjes, 26-vjecarja u rikuperua dhe tani vijon jetën si më parë.
Çfarë është melanoma? Melanoma është një nga lloj i kancerit të lëkurës. Është më pak e zakonshme se kanceret e tjera, por është ndër më të rrezikshmet. Emërtimi rrjedh nga fjala greke “Melas”, që do të thotë e errët. Pra është një tumor “i keq”, i melanociteve. Këto të fundit janë qelizat që prodhojnë pigmentin e errët të melaninës, i cili është përgjegjës për ngjyrën e lëkurës. Qelizat gjenden kryesisht në lëkurë, por janë gjetur edhe në pjesë të tjera të trupit si për shembull në zorrë dhe në sy (melanoma intenstinale dhe uveale). Pra, melanoma mund të shfaqet në çdo pjesë të trupit ku ndodhen melanocitet, të cilat janë me shumicë në lëkurë. Ajo shkakton rreth 75% të vdekjeve që lidhen me kancerin e lëkurës. Sot, në të gjithë botën diagnostikohen rreth 160.000 raste të reja në vit me melanoma.