Nga pjatalarës tek milionat e parë, meditimi shpëton nga dilemat emigrantin shqiptar

Sheki Useini, shkrimtar, mësues meditimi ishte i ftuar në ‘Abc e Pasdites’ ku zbuloi kalvarin e jetës së tij. Me një të shkuar të mbushur me ndodhira, Useini u kthye pas në vitet e emigracionit. I ardhur nga Tetova, medituesi në moshën 20 vjeçare shpërngulet në Zvicër, aty ku nis punën e tij të parë si pjatalarës. Por me vullnetin që e karakterizon dhe punën e dedikuar, brenda pak vitesh arrin të kthehet në një milioner.

“Me para borxh kam shkuar në Zvicër. Vija nga një familje e varfër në Maqedoni. Mendoja se suksesi ishte i merituar për të tjerët dhe unë isha për të ndihmuar të tjerët që të gjejnë suksesin.” – shprehu Useini.

Por për të vitet e para të tranzicionit nuk ishin te thjeshta dhe atij i duhet të përshtatej fillimisht. Gradualisht mësoi gjuhën dhe u ngrit në detyrë. Meditimi e ka shoqëruar përgjatë rrugës së tij në jetë dhe e konsideron si një ndër faktorët kyçe të arritjeve.

“Unë e kam përjetuar njësoj si Santiago i Alkimistit nga Paulo Coelho. Duhet të largohesha nga vendlindja dhe të kuptoja se çfarë fuqie kam në brendinë time. Fillova të shquaj autenticitetin dhe vlefshmërinë time… çelësi ka qenë përkushtimi i vazhdueshëm dhe sistematik.” – tha Sheki Useini.

 


Shtuar 29.09.2021 18:55