Nesër ndryshon ora, mësoni se si lëvizin akrepat

Të dielën e 29 tetorit ndryshon ora. Akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa, ose thënë ndryshe, do të flemë një orë më shumë.

Si zakonisht ndryshimi bëhet rreth orës 03:00 të mëngjesit. Në aparatet e celularëve smart, ndërrrimi bëhet automatikisht.

Lëvizja e akrepave të orës si fenomen ndodh dy herë në vit: në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, kohë kur ora shkon para. Synimi është që të shfrytëzohet sa më mirë energjia diellore.

Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qënë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike.

Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ato shkojnë një orë pas.

Megjithatë, për shkak të krizës energjetike të periudhës së fundit, shumë po kërkojnë braktisjen përfundimtare të orës diellore, duke adoptuar orën verore gjatë gjithë vitit.

Më të prekur nga ndryshimi i orës janë padyshim qytetarët aktiv në marrëdhënie pune dhe arsimore, të cilët preferojnë një orë të pandryshuar.