Web3 është bërë kryefjala më e fundit për njerëzit e teknologjisë dhe kriptomonedhave. Teksa disa janë të lumtur për atë që po konsiderohet si faza tjetër e internetit, të tjerë, duke përfshirë Elon Musk dhe Jack Dorsey, ky i fundit ekspert i teknologjisë, sipërmarrës dhe ish-CEO i Twitter, kanë shprehur shqetësimet e tyre.
Por çfarë është Web3? E thënë thjesht, Web3 është një term për një ekosistem në internet që largon ndërmjetësit e mëdhenj. Pra, platformat në Web3 nuk janë në pronësi të kompanive të mëdha dhe ju nuk do të lundroni në internet përmes motorëve të kërkimit si Google. Ai përdor blockchain, i njëjti sistem i përdorur nga kriptomonedhat.
Çfarë është keq te Web 1.0 dhe Web 2.0? Versioni i parë i rrjetit të gjerë botëror u lançua nga Sir Tim Berners-Lee në vitin 1989. Në atë kohë, ata pak njerëz që kishin njohuri mund të vendosnin informacionin në internet në një mënyrë të decentralizuar (veprimtari që nuk kontrollohet nga një person/autoritet i vetëm). Web 2.0 u lançua rreth 10 vjet më vonë dhe filloi me zhvillimin e mjeteve që ishin të lehta për t’u përdorur, duke lejuar këdo të ngarkonte përmbajtje në internet nëpërmjet gjigantëve të teknologjisë si Google, Twitter dhe Facebook.
Por këto mjete falas të ofruara nga kompanitë e teknologjisë, që i lejojnë të gjithë të shpërndajnë informacione, po mbledhin gjithashtu të dhënat tona personale për t’u përdorur për reklama dhe fushata marketingu. Në teori, Web3 do të jetë një kombinim i dy versioneve të mëparshme të internetit, por do t’ua heqë fuqinë gjigantëve të teknologjisë dhe korporatave dhe do ta “çojë” fuqinë në duart e njerëzve.
Në botën e Web3, motorët e kërkimit, tregjet dhe rrjetet sociale do të jenë më të thjeshta për t’u përdorur. Kështu që ju mund të kontrolloni të dhënat tuaja dhe të keni një llogari të vetme të personalizuar ku mund të kaloni nga emailet te blerjet online dhe rrjetet sociale. Ideja e një interneti të decentralizuar mund të tingëllojë e largët, por shumë kompani tani po krijojnë ekipe për Web3. Njerëzit që aktualisht po formojnë Web3 janë zhvillues softuerësh dhe investitorë.
Këtë javë, ish-CEO i Twitter Jack Dorsey sugjeroi se Web3 është nën kontrollin e industrisë së kapitalit sipërmarrës, veçanërisht e Andreessen Horowitz, një mbështetës i hershëm i Facebook dhe një avokat i Web3.
Në fund të fundit, është një entitet i centralizuar me një etiketë ndryshe.
Ndërkohë, CEO i Tesla-s, Elon Musk thotë se Web3 është më shumë një “fjalë kryesore marketingu” sesa realitet. Ekspertët kanë shprehur shqetësime se një internet i decentralizuar do ta bënte edhe më të vështirë parandalimin e krimit kibernetik, gjuhën e urrejtjes dhe keqinformimin.