Zyrtari i BE-së: Ushtria ruse po bombardon gjithçka në Ukrainë

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ushtria ruse po “bombardon gjithçka” në Ukrainë.

“Sot, ajo që ne shohim është fytyra e shëmtuar e luftës që shpërthen sërish në kufijtë tanë. Dhe rusët po bombardojnë gjithçka, spitale, shtëpi, shkolla. Shumë viktima civile. Është një mënyrë barbare për të bërë luftë”, u tha Borrell gazetarëve përpara një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të premten.

Ai i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë bombardimet.

“Putini duhet të ndalet për të ndalur këtë luftë. Ne mbetemi të bashkuar për të kërkuar që kjo luftë të ndalet. Për të ndaluar dhe shmangur vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, shtoi Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së shtoi se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut së shpejti do të “fillojë një mision për të vlerësuar shkeljen e të drejtave të njeriut që po ndodhin në territorin ukrainas”.

Zyrtarë të SHBA dhe të tjerë perëndimorë i kanë thënë CNN se Rusia pritet të godasë gjithnjë e më shumë objektivat civile dhe të zhvendoset drejt një strategjie të “asgjësimit të ngadalshëm” të ushtrisë ukrainase.

CNN ka gjetur dhe verifikuar 13 incidente që përfshijnë civilë gjatë tre ditëve, ndërsa sulmet u intensifikuan në Kharkiv, një qytet me rreth 1.5 milionë banorë, pas rezistencës së Ukrainës. CNN ka analizuar dhe verifikuar provat dixhitale, duke përfshirë video dhe foto, të disa sulmeve pa dallim në qytet.


Shtuar 4.03.2022 16:53