Zyrtari amerikan: Të sanksionuarit e rrjeteve kriminale, të mbahen përgjegjës

Ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Thesarit, Paul Ahern, deklaroi në Beograd se të gjithë ata serbë nga veriu i Kosovës, të cilët i sanksionoi SHBA-ja, duhet të mbahen përgjegjës.

“Individët dhe kompanitë në cak të këtyre sanksioneve, duhet të mbahen përgjegjëse, ndërsa aktivitetet e tyre, të cilat shkaktojnë destabilitet, duhet të ndalen”, citon deklaratën e Ahernit Ambasada amerikane në Serbi.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së, më 8 dhjetor, futi në listë të sanksioneve udhëheqës të, siç tha, grupit të krimit të organizuar në Kosovë dhe kompani të udhëhequra nga ta.

Sipas Departamentit të Thesarit, ata shkaktuan destabilitet dhe ushtruan veprimtari korruptive, me çka u dëmtuan qytetarët dhe ekonomia e Kosovës dhe e Serbisë.

“Presidenti [i SHBA-së, Joe] Biden qartazi bëri me dije se luftimi i korrupsionit është prioritet kryesor i SHBA-së. Departamenti i Thesarit do të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës protagonistët e korrupsionit, kudo qofshin ata”, tha Ahern.

Ahern, gjatë vizitës në Serbi nga data 13 deri më 15 dhjetor, u takua me përfaqësuesit kryesorë të pushtetit dhe bizneseve, ndërsa bisedoi për tema të interesit të përbashkët, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Ahern, këtë javë, do të vizitojë edhe vende të tjera të rajonit, për t’u informuar, siç thuhet, se deri në çfarë mase kërcënojnë stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së futi në listë të sanksioneve nënkryetarin e Listës Serbe – partisë kryesore serbe në Kosovë – Millan Radoiçiq, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq dhe vëllain e tij Zharko Vesellinoviq, si dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Vëllezërit Vesellinoviq, Radoiçiq, pastaj Zhelko Bojiq dhe Marko Roshiq thuhet se u takojnë rrjeteve korruptive të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Zyrtarët e Kosovës i kanë mirëpritur sanksionet e SHBA-së kundër grupit të serbëve nga veriu i Kosovës, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se autoritetet kompetente të vendit të tij do të hetojnë nëse ka “akuza të rënda”./REL/