Zjarri te “5 maji”, flakët vihen në kontroll pas 4 orësh/ Izolohet vatra, shpërhapja përfshiu 50 dyqane

Zjarri që përfshiu tregun e rrobave të përdorura në zonën e 5 Majit në Tiranë është vënë nën kontroll pas rreth katër orësh ndërhyrje intensive nga shërbimi zjarrfikës. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkëndija elektrike ka qenë shkaku kryesor i rënies së zjarrit.

Siç raportoi gazetarja Xhensila Kodra, në operacion u angazhuan rreth 40 forca zjarrfikëse, ndërsa vatra kryesore është izoluar. Flakët u përhapën në rreth 50 dyqane të disa kapanoneve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Aktualisht situata paraqitet më e qetë, ndërsa për arsye sigurie është bërë edhe shkëputja e energjisë elektrike në zonë. Autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar apo të asfiksuar nga tymi.

Forcat zjarrfikëse vijojnë monitorimin në terren për të shmangur riaktivizimin e flakëve, ndërsa shkaqet përfundimtare të zjarrit do të përcaktohen pas ekspertizës zyrtare.


Shtuar 8.01.2026 22:59

Tags: ,