Ishulli i Sazanit, një vend me peizazh të mahnitshëm natyror, prej ditësh është përfshirë nga zjarri dhe asgjë nuk po bëhet për shuarjen e tij.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se janë angazhuar forca të shumta për shuarjen e flakëve, ata të Armatosura dhe i gjithë sistemi i Mbrojtjes Civile. Gjithashtu ka dhe vullnetarë, por përsëri, situata mbetet kritike. Këtë e ka pranuar dhe vetë ministri mëngjesin e sotëm, ku përmes një postimi në Facebook u shpreh se “Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë. Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll”.
Por, pse nuk po shuhet zjarri? Çfarë mungon?
Përgjigja është e thjeshtë. Një helikopter i flotës ajrore shqiptare është zgjidhja që mund t’i jepte fund këtij zjarri.
Pse nuk po ndërhyhet me helikopter?
Përsëri përgjigja është e thjeshtë. Nuk kemi helikopterë “Cougar”. Vetëm një që është sjellë në Shqipëri në muajin dhjetor është në gjendje, por nuk përdoret dot pasi ka probleme me rrjedhje transmisioni që prej 10 shkurtit. Të tjerët janë nëpër Europë, duke u “mirëmbajtur”, bazuar në kontrata korruptive.
Këtë e ka provuar dhe një investigim i BIRN, që u bë disa ditë më parë dhe erdhi sërish si pasojë e nevojës së një helikopteri për të shpëtuar shefin e krimeve në Shkodër, i cili gjatë një operacioni anti-kanabis në Shosh, ra në greminë. Nxjerrja e tij në rrugë tokësore ishte e pamundur për shkak të terrenit të vështirë. Duhej patjetër një helikopter, dhe atë nuk e mundësoi flota ajrore shqiptare, por helikopteri i misionit paqeruajtës KFOR nga Kosova.
BIRN ka siguruar dokumente ekskluzive dhe intervistat me pilotë dhe ish-ushtarakë që tregojnë se të paktën prej vitit 2018, Ministria e Mbrojtjes ka dështuar që të garantojë mirëmbajtjen periodike të helikopterëve “Cougar”, duke cenuar sigurinë e pilotëve dhe efikasitetin e forcave ajrore shqiptare.
“Mirëmbajtja e mjeteve ajrore ka qenë gjithmonë një temë e nxehtë,” i tha Altin Lama, një pilot veteran dhe ish-drejtues i shkarkuar i bazës ajrore të Farkës.
“Abuzimi dhe rritja fiktive e çmimeve për shërbimet e nevojshme sjellin rritjen e kostos së shfrytëzimit në nivele të papërballueshme dhe si rrjedhojë lënien e mjeteve në tokë. Nga ana tjetër, qëndrimi në tokë për kohë të gjatë sjell si pasojë dyfishimin e shpenzimeve të mirëmbajtjes,” shtoi ai.
Ministria e Mbrojtjes i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se helikopterët “Cougar” janë larguar nga Shqipëria për shërbimet e mirëmbajtjes periodike, por nuk iu përgjigj pyetjes nëse kishte aktualisht në gatishmëri ndonjërin prej tyre./albeu.com